Maqedoni

Tragjedia në Bullgari, IShT kontroll licencës së “Besa Transit”, Huseini: Është problem, po jo shkak i tragjedisë

24.11.2021 14:18

Inspektorati Shtetëror i Transportit do të kontrollojë kompaninë “Besa Trans”, për të vërtetuar nëse i ka disponuar certifikatat e nevojshme. Por, drejtori i këtij institucioni, Rifat Huseini, tha se mungesa e certifikatës, nuk mund të jetë edhe shkaktar i aksidentit të rëndë të trafikut. 
 
Inspektorati Shtetëror i Transportit do të kontrollojë kompaninë “Besa Trans”, për të vërtetuar nëse i ka disponuar certifikatat e nevojshme. Por, drejtori i këtij institucioni, Rifat Huseini, tha se mungesa e certifikatës, nuk mund të jetë edhe shkaktar i aksidentit të rëndë të trafikut. 
 
“Do t’i bëjmë një mbikëqyrje kompanisë dhe të vërtetohet mungesa e certifikatës, licencës për automjetin, për të cilin përflitet se nuk disponon me një certifikatë të tillë dhe normalisht kur hyjmë të bëjmë kontroll, bëjmë kontroll për të gjitha aspektet në kompetencën tonë. Besoj se shpejt do bëjmë kontroll, shkaqet nuk mund t’i zbulojë inspektorati. Për shkak se mungesa e një letre është irelevante për rastin. Është rast shumë i rëndë dhe nuk mund të kualifikohet se ka ndodhur për mungesën e një ekstrakti.”,- tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rifat Huseini.
 
Selmani: Dilemat, a respektohet ligji njësoj nga të gjithë
 
Ekspertët ndërkohë kanë dilema nëse ligji vlen për të gjithë njësoj. 
 
“Ne nuk e dimë se sa ka të regjistruar dhe vallë përse nuk ndodh edhe te agjencitë tjera maqedonase, por tek shqiptarët dhe këtu ne na lind dilema. Këto të shqiptarëve a i marrin më lehtë këto lejet, më pak respektohen apo në njërën pjesë respektohet më shumë apo më pak ligji se të njëjtat janë rrethanat. Këtu është problemi i çështjeve dhe ka shumë indikacione ku ne ngremë dilemat tona.”,- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Neimi: Duhen kontrolle teknike pas çdo rruge të gjatë
 
Inxhinieri i komunikacionit rrugor, Blerim Neimi, vlerëson se  përskaj kontrolleve teknike, kompanitë transportuese duhet të jenë në gatishmëri të kontrollojnë automjetet e tyre rregullisht. 
 
“Sa është në gjendje të përgatitet nga stafi menaxhues, nga mekanikët që të përgatitet për transportin e ardhshëm që të jetë në gjendje të rregullt teknike. Pra të kontrolloj pjesët kryesore, frenat, mekanizmit e qëndrimit të mjetit transportues etj. Nuk do të thotë se kontrollet teknike i kemi çdo gjashtë muaj, por pas realizimit të transportit patjetër që ndërmarrjet transportuese duhet të kenë garazhet e tyre dhe të merren sado pak me kontrolle të automjetit.”,- theksoi eksperti i komunikacionit rrugor, Blerim Neimi.
 
Ekspertët thanë se nevojitet edhe modernizim i autobusëve, pasi në vendin tonë lejohen që të qarkullojnë edhe autobusë të cilët në Evropë nuk kanë leje vozitjeje. Gjithashtu u përmend se mungon dhe investimi i mirëfilltë te shoferët që vozisin sidomos në linja ndërkombëtare të relacioneve të gjata. 
 
ERSAN PAJAZITI