Maqedoni
Komuna e Çairit, 1.2 mln denarë ndihmë për familjet e viktimave
24.11.2021 14:25
Këshilli i komunës së Çairit në seancë të jashtëzakonshme ndau 1.2 milion denarë...

Këshilli i komunës së Çairit në seancë të jashtëzakonshme ndau 1.2 milion denarë për familjarët e viktimave që humbën jetën në Bullgari.
“Do të bëjmë ridedikimin e mjeteve për dekorimin e territorit të komunës sonë për festat e fundvitit për t’u ndihmuar familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik. Kjo do të thotë që nga kontoja 42.50 90 programi EO i marrin 1 milion e 200 mijë denarë dhe të njëjtat i shtojmë në konton 41.21.10 programi në rezervat e përhershme.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Opozita e cilësoi këtë shumë simbolike, por Ganiu u justifikua se kaq mjete janë të mundura me buxhetin e këtij viti e me buxhetin e ri do të mund të merren edhe masa të tjera.
“Kërkojmë që kjo shumë mos të jetë vetëm simbolike, por të jetë pak më përmbajtjesore sesa simbolike. Kërkojmë një shumë më serioze se ajo që e përmendi kryetari i komunës së Çairit.”,- theksoi këshilltarja në komunën e Çairit - ASh-AA, Nafije Selmani.
“Së bashku me komisionet që do të formohen sot nga një përfaqësues do të ketë çdo parti në atë komision, nëse ne e shohim të nevojshme se duhet edhe më tepër të ndihmojmë, do të kërkojmë rrugë dhe kanale tjera. Atë mund ta parashohim edhe me buxhetin e ri, por me buxhetin e vjetër këto janë mundësitë që ne mundemi t’i alokojmë mjetet për këtë rast.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Ne si grup i këshilltarëve të BDI-së do të përkrahim këtë iniciativë të kryetarit të komunës dhe gjithashtu dua të falënderoj edhe kolegët e partive tjera politike që treguan konstuktivitet dhe iu bashkëngjitën kësaj iniciative.”,- u shpreh Lejla Emrullai nga BDI.
Në aksidentin tragjik në Bullgari humbën jetën 16 banorë të komunës së Çairit. Edhe komuna e Gazibabës paralajmëron ndihmë për familjet e viktimave të aksidentit.
FLUTURA LATIFI
