Maqedoni
Edhe klerikët e ardhshëm në provim shtetëror
17.12.2014 17:16
Provimi shtetëror nuk do të mbahet vetëm në universitetet e zakonshme, por edhe në ato fetare...

Atij pritet t’i nënshtrohen edhe studentët e Fakultetit të Shkencave Islame dhe Fakultetit Teologjik të Krishterë “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Fakulteti i Shkencave Islame do të dalë me qëndrim pasi ta marrë zyrtarisht propozimin e qeverisë për ndryshim në Ligjin për Arsim të Lartë.
“Ne ende nuk kemi qëndrim të ndërtuar lidhur me këtë çështje, mbetet të shohim mënyrën dhe materien se si ata planifikojnë ta realizojnë provimin shtetëror. Parimisht, ne pajtohemi me çdo reformë të qëndrueshme, e cila është në dobi të ngritjes së cilësisë së arsimimit dhe edukimit në Republikën e Maqedonisë”- deklaroi dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Fahrudin Ebini.
Edhe Fakulteti Teologjik i Krishterë është pro idesë së MASH-it për provimin shtetëror, por përkujtojnë se priftërinjtë e ardhshëm, teologët e diplomuar apo murgjit edhe tani e kanë si obligim t’i nënshtrohen një provimi adekuat plotësues, varësisht çfarë zgjedhin të bëhen pas përfundimit të studimeve.
Sipas Propozim-ligjit për Arsim të Lartë, provimi shtetëror do të nis të zbatohet nga viti i akademik 2016-2017.
SANIJE KASAMI
