Maqedoni
Ekspertët bullgarë të sigurisë rrugore: Duhen vërtetuar me kujdes të gjitha rrethanat
24.11.2021 15:24
Tragjedia në të cilën jetën e humbën 45 persona i ka vënë para një sfide të madhe organet e hetuesisë bullgare....

Tragjedia në të cilën jetën e humbën 45 persona i ka vënë para një sfide të madhe organet e hetuesisë bullgare. Ata duhet të hetojnë se çfarë ndodhi saktësisht në autostradën Struma. Po shqyrtohen shumë versione si shkak për tragjedinë, mosfunksionimi teknik i autobusit apo një gabim i shoferit janë dy prej tyre. Ekspertët bullgarë thonë se është me rëndësi që hetimi të tregojë nëse autobusi është përplasur me bankinat para apo pas problemit teknik apo ndonjë gabimi njerëzor të shoferit. Nga pika kufitare deri te vendi i ngjarjes nuk është shënuar asnjë shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e shoferit.
“Është shumë me rëndësi të vërtetohet nëse autobusi ka marrë flakë gjatë përplasjes në bankinën apo më parë. Gjithsesi organet kompetente duhet të vërtetojnë të gjitha rrethanat.”,- tha drejtori i Agjencisë “Administrata Automobilistike”, Bopko Ranovski.
Distancën prej 304 kilometrash nga pika kufitare deri te vendi i tragjedisë, shoferi i autobusit e ka kaluar për 4 orë e 51 minuta. Regullativa evropiane është shumë precize në aspekt të pushimit të shoferëve në relacione të gjata, e pushim ka pasur pak minuta para aksidentit tragjik.
“Autobusi duhet të bëjë pushim në çdo 4 orë e 30 minuta dhe të ketë një pauzë prej 45 minutave ose dy pauza nga 15 minuta dhe kjo është e shënuar në të gjitha rregullativat evropiane. Autobusi ka lëvizur me shpejtësi maksimale prej 100 kilometra ne orë, aspak me shumë.”,- tha Magdalena Miltenova nga Konfederata e Transportuesve Europianë.
Ekspertët bullgarë thonë se shenja e cila tregon dalje për në vend parkim ka qenë e vendosur gabimisht dhe s’ka pasur ndriçim të mjaftueshëm. Njëra nga mundësitë për fatkeqësinë mund të jetë edhe ndriçimi i pamjaftueshëm i bankinave. Por, kjo duhet vërtetuar nga hetuesit. Gjatë hetimit duhet të ndihmojë edhe Prokuroria e Maqedonisë së Veriut.
SANIJE DURAKU
