Maqedoni
Osmani: Presim identifikimin e trupave të pajetë
24.11.2021 15:41
Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, vazhdon të qëndrojë në Sofje...

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, vazhdon të qëndrojë në Sofje. Ai thotë se pret informacione zyrtare nga raportet e mjekësisë ligjore për identifikimin e kufomave. Ende nuk dihet se kur trupat e pajetë do t’u kthehen familjeve, gjithçka varet nga shpejtësia e procesit të identifikimit.
“Nuk mund të përcaktohet me kohë. Ato janë procedura që zhvillohen për secilin individ të vdekur. Duhet institucionet e Bullgarisë të na informojnë zyrtarisht se ka mbaruar identifikimi dhe ne do të informojmë tutje. Sapo të kryhet identifikimi, ne do ta organizojmë transportin për në Shkup.”,- theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Familjarët: Kemi dhënë ADN-në, presim trupat e të afërmve
Shumë familjarë të viktimave janë gjithashtu në Sofje me shpresën e marrjes së shpejtë të çfarëdo informacioni.
“Vajza ime edhe dhëndri janë të mbytur. Analiza ADN duhet të bëjmë në mjekësinë ligjore. Material të ADN-së i kanë marrë djalit në Shkup.”,- theksoi familjari, Asip Selami.
Konfirmimi i emrave të viktimave, Osmani: Vetëm pas identifikimit zyrtar
Osmani thotë se është i vetëdijshëm se familjarët presin informacione të shpejta, por procedura varet nga mjekësia ligjore e Bullgarisë e emrat e viktimave zyrtarisht do të kumtohen vetëm kur kjo procedurë të përfundojë.
“I publikova emrat e të lënduarve, që në njëfarë mënyre indirekt ata të cilët nuk janë në spital do të thotë se janë pjesë e të vdekurve. Por, atë nuk mund ta konfirmojmë derisa nuk bëhet identifikimi i trupave. Sot jam këtu ta lehtësoj edhe punën e ekspertëve nga instituti i mjekësisë ligjore që sot duhet të kyçen në procesin e identifikimit të trupave, por të jem këtu që edhe familjet t’i marrin informacionet në kohë.”,- theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani kërkon nga opinioni të jenë të përmbajtur nga çdo spekulim rreth arsyes së tragjedisë, e me këtë mos t’ju rëndohet edhe më shumë gjendja dhe dhimbja e atyre që kanë humbur pjesëtarë të familjes.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
