Maqedoni

Humbën 5 shokët e tyre, marsh i nxënësve të Sh. F. “Ismail Qemali” në Çair

24.11.2021 17:04

Në shenjë përkujtimi për pesë nxënësit e tyre të cilët ishin në mesin e 45 viktimave...

Në shenjë përkujtimi për pesë nxënësit e tyre të cilët ishin në mesin e 45 viktimave, që humbën jetën tragjikisht në aksidentin rrugor në Bullgari, Shkolla “Ismail Qemali” zhvilloi marsh i cili ka filluar nga objekti i shkollës dhe përfundon te Sheshi “Skënderbeu”. Thonë që kjo është një tragjedi shumë e madhe për shkollën e cila vështirë përshkruhet me fjalë. 
 
“Ngushëlloj familjarët, ngushëlloj nxënësit, ngushëlloj arsimtarët të cilët kanë pasur momente të mira me nxënësit që humbën jetën tragjikisht. Jemi mjaft të pikëlluar nga rasti. Për një shkollë të humbësh 5 nxënës është tragjedi shumë shumë e madhe.”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Ismail Qemali”, Burbuqe Ymeri.
 
“Sot u munduam të mbajmë mësim, por as që kishim mundësi e as që kishin mundësi nxënësit tanë.”,- theksoi arsimtari, Metush Memeti.
 
“Nxënësit të mërkurën u lajmëruan: arsimtar do të shkojmë nesër në Turqi, në Stamboll, unë me gjithë dëshirë i lejova. Nxënësit lajmin e pritën me qarje, me pikëllim dhe dhimbje shumë të madhe.”,- u shpreh kujdestari i klasës IX, Qamil Imeri.
 
Me lule në duar, mbishkrime dhe poezi ku reflektuan kujtimet e përbashkëta të cilat përjetësisht do të mbesin mes tyre, bashkëmoshatarët u dhanë lamtumirën e fundit 5 shokëve të tyre.
 
“Na mungon, do të na mungojë shumë, gjithmonë kemi me i pas në zemrat tona. Besoj se krejt janë mërzit për këtë ngjarje, por ne jemi mërzit, për klasën tonë që prej në klasën e dytë e kemi Razijën dhe shumë më ka ardhur keq.”,- u shpreh një nxënëse.
 
“Razija është shoqja ime e ngushtë, e kemi pasur prej në klasën e dytë, edhe nuk e kam pritur këtë lajm të keq. Çdoherë ka me mbet në zemrat tona, nuk e harrojmë asnjëherë. Do ta duam çdoherë.”,- tha një nxënëse.
 
“Razija ishte një shoqe shumë e mirë për neve, me ato kemi qenë prej në klasën e dytë deri tani dhe të gjitha momentet që i kishim të mira nuk kemi me i harru.”,- theksoi një nxënës.
 
“Unë jam shok i Omer Jahit, kemi pas shumë momente të mira me atë, po kështu e ka jeta. Kemi pasur shoqëri të ngushtë, kemi qenë shokë pandërprerë, kemi luajtur jemi kënaqur.”,- u shpreh një nxënës.
 
“Unë jam shok i Omer Jahit. Kemi qenë prej në klasën e parë bashkë, jemi kënaqur. Kemi pasur momente shumë të bukura.”,- tha një nxënës.
 
Në aksidenti tragjik në Bullgari, jetën e humbën 12 fëmijë të moshës nga 4 deri 17 vjeç. Edhe shumë prej viktimave të tjera ishin në moshë të re. 

LEUNORA KALIQI