Maqedoni

Nisma “Ballkani i hapur”, ShBA me përkrahje të kushtëzuar

24.11.2021 17:34

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përkrahje të kushtëzuar për nismën rajonale “Open Ballkan”....

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përkrahje të kushtëzuar për nismën rajonale “Open Ballkan”. Nisma ka përkrahjen e Uashingtonit vetëm nëse nismës i bashkëngjiten të gjashtë shtetet e rajonit dhe vetëm nëse shtetet anëtare janë të barabarta. Zëvendës-ndihmës-sekretar i shtetit i SHBA-së, i angazhuar për rajonin, Gabriel Eskobar, qartësoi qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë në Konferencën “Ballkani i Hapur”, rruga e stabilitetit, bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal, që u mbajt në Beograd.
 
“Përkrahim integrimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çdo nismë për bashkëpunim rajonal që ndihmon këtë proces.” - theksoi mes tjerash Eskobar.
 
“Shpresojmë që nisma “Ballkani i Hapur” para së gjithash do të jetë i hapur për të gjithë si partnerë të barabartë dhe se do të avancojë strukturën ligjore të Ballkanit Perëndimor në nivelin e nevojshëm për qasje në BE. Më tej, përkrahja e jonë është e kushtëzuar me barazinë mes të gjithë anëtarëve dhe të mos e pengojë aspiratën evropiane.”,- deklaroi zëvendës-ndihmës-sekretari i shtetit i SHBA-së, Gabriel Eskobar.
 
Uashingtoni kupton skepticizmin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe konsideron se arsyet e tyre duhet të merren në konsideratë, prandaj fton tre vendet nënshkruese të kësaj nisme që të bindin edhe këto tre shtete, në të kundërtën kjo nismë nuk do të ketë sukses. Mirëpo, nismëtarët e Ballkanit të Hapur thonë se nisma është e hapur, nuk është alternativë për intergimin Evropian por përshpejton aplikimin e vlerave evropiane në rajon.    
 
Rama fton shtetet e tjera të rajonit
 
“Dua të them se nuk na takon neve që të bindim këdo qoftë se nisma “Open Ballkan” është e hapur, kush dëshiron ta provojë le të përpiqet. Duket sikur jemi nën ndonjë mbikëqyrje, sikur dyshohet se ne po punojmë diçka që quhet e hapur por që nuk është e aq e hapur. Kjo nuk është e vërtetë. Ne kemi vendosur të marrim këtë nismë pasi përmes Procesit të Berlinit, i cili është kornizë edhe e kësaj nismë,  pamë se me atë nismë veç samiteve të shtrenjta dhe deklaratave që miratoheshin në jetën reale nuk ndodhte asgjë.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Dimitrov: Është në harmoni me integrimin evropian
 
“Bashkëpunimi rajonal në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, nuk është alternativë për rrugën evropiane. Përkundrazi është në harmoni me integrimin evropian, por nëse nuk fillojmë bisedimet qasëse ne duhet të përpiqemi të aplikojmë standardet dhe vlerat evropiane, prandaj kjo nismë është në harmoni me vizionin e vendeve tona për në BE dhe shprehje e vullnetit tonë politik se nuk duam të presim pa bërë asgjë, por të jemi pro-aktiv.”,- theksoi zëvendëskryeministri i RMV-së, Nikolla Dimitrov.
 
Bërnabiç: Ide pragmatike dhe politikë e mençur
 
“Mund të them se kjo nuk është vetëm një ide e bukur politike por është ide pragmatike dhe politika më e mençur e mundshme e Serbisë, e partnerëve tanë: Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Shpresoj se këtu do ta shohin veten edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe t’i bashkëngjiten kësaj nisme. Interesi më i madh i kësaj nisme është një rajon më stabil, më i sigurt dhe i parashikueshëm.”,- u shpreh kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.
 
Por sa janë të informuar qytetarët dhe vendeve përkatëse dhe cili është qëndrimi i tyre për këtë nismë. Një hulumtim i bërë nga agjencia Faktor Plus ka rezultuar se për këtë nismë më të informuar janë qytetarët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe më pak qytetarët shqiptarë. Nga shqiptarët e anketuar vetëm 28% e përkrahin këtë nismë, pjesa dërmuese konsiderojnë se ka disavantazhe për shkak të çështjes territoriale të Kosovës dhe mostolerancës ndëretnike në rajon.
 
SHPËTIM NUREDINI