Maqedoni
Ademi takon dekanët, studentët protestojnë
17.12.2014 17:47
MASH-i realizoi takim pune me dekanët e Fakultetit Pedagogjik, me qëllim të sqarimit të reformave në kuadër të fakulteteve...

MASH-i realizoi takim pune me dekanët e Fakultetit Pedagogjik, me qëllim të sqarimit të reformave në kuadër të fakulteteve të cilat kanë për qëllim rritjen e cilësisë së profesionit të mësuesisë.
Sipas ministrit Ademi, reformat në këtë sferë parashohin provim pranues, mundësi për licencim të mësuesve, me çka parashihet edhe shtesë në rrogë prej 50 euro në muaj.
Të gjitha këto kanë për qëllim rritjen e cilësisë së profesionit të mësuesisë.
“Secili që do të pranohet, do t’i sigurohet bursë prej 50% prej rrogës mesatare, pastaj parashihet të formohet edhe akademia për mësues, të definohen kushtet se kush mund të regjistrohet në akademi dhe të përcaktohet kohëzgjatja e studimeve për fakultetet pedagogjike tetë muaj, për të tjerat 12 muaj”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Mund të themi se kemi disa vërejtje. Provimi pranues ka shumë lendë, edhe lënda e matematikës është e obligueshme për zhvillimin e karrierës së profesorëve universitarë. Ka kërkesa të larta dhe besoj se një pjesë e kolegëve nuk do mund t’i përmbushin, por sigurisht se do të debatojmë edhe më tej për këtë propozim-ligj”- tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Vllado Dimovski.
Por, kjo mbledhje e ministrit me dekanët nuk është pritur mirë nga studentët.
Plenumi Studentor i SHCM-së tentoi ta pengojë debatin, i cili fillimisht ishte paralajmëruar të mbahet në hapësirat e Fakultetit Pedagogjik. Studentët akuzuan se nuk janë ftuar në debat.
“E pyesim ministrinë se a e dëgjoi zërin e 10 mijë studentëve të cilët i thanë jo provimit shtetëror. Për çka debatohet? Këtu debatohet për vendime veç më të miratuara nga qeveria dhe ne nuk jemi të ftuar në debat”- u shpreh Vlado Malenkovski nga Plenumi Studentor i SHCM-së.
Ministri Ademi, thotë se studentët nuk janë ftuar sepse është debatuar për reformat në Fakultetin Pedagogjik, e jo për provimin shtetëror.
Sipas tij, edhe dje edhe sot studentët janë kyçur në debatet publike.
“Unë nuk dua të komentoj deklaratat e studentëve, sepse tash që studentët janë partnerët tanë dhe paketa e reformave që ofrohet është se pse kemi ne fokus studentët dhe ngritjen e cilësisë së arsimit, MASH-i nuk do të jetë kundër studentëve, sepse i konsiderojmë partnerë, dhe ata janë në fokus jo vetëm për këtë reformë, por edhe për reformat tjera, për përmirësimin e cilësisë”- theksoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Debati për provimin shtetëror do të mbahet në të gjitha universitetet dhe do të vazhdojë ditëve në vijim.
FLUTURA LATIFI
