Osmani: Ka nisur procesi i identifikimit të kufomave
Procesi i identifikimit të kufomave...

Procesi i identifikimit të kufomave nga aksidenti në Bullgari ka filluar, konfirmon ministri i jashtëm, Bujar Osmani, pas takimit me prokurorët bullgarë - përgjegjës për aksidentin.
Familjarëve të të vdekurve Osmani ua përcjell informacionet e marra nga shërbimet bullgare dhe se procesi i identifikimit kërkon së paku 7 ditë derisa të mbarojnë të gjitha procedurat.
“Kërkova nga ta të gjitha informacionet me qëllim që të parashikojmë një dinamikë që të mund t’i informojmë familjet por edhe të mund të përgatisim institucionet për veprimet e mëtutjeshme. Procesi i identifikimit ka filluar, mirëpo ky proces i identifikimit nëpërmjet AND-së, nëpërmjet materiale biologjike që merren nga familjarët, do të zgjas; deri në 7 ditë dhe pas 7 ditëve atëherë në mënyrë të organizuar do të merren kufomat dhe do të dërgohen në Shkup.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Kujdes me spekulimet rreth tragjedisë
Osmani njofton se me prokurorët bullgarë ka folur edhe për hetimet. Thotë se në këto rrethana prokurorët nuk ndajnë asgjë me opinionin për arsyen e aksidentit, sepse rasti është i vështirë për t’u hetuar dhe kërkojnë kohë për rezultatet objektive. Kanë demantuar çdo lloj spekulimi për aksidentin në fjalë.
“Folëm natyrisht edhe për hetimin. Prokurorët demantuan spekulimet që paraqiten në opinion për shkakun e mundshëm të kësaj tragjedie. Kërkuan mirëkuptim dhe kohë që ta rrumbullakojnë këtë proces në mënyrë të duhur dhe pastaj ta informojnë opinionin.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani ka vizituar edhe të mbijetuarit nga aksidenti të cilët po trajtohen në spitalin e Sofjes. Gjendja e tyre është stabile, thotë ai, ndërsa në Shkup do të kthehen javën e ardhshme. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
