Studeniçani në zi, familja pret mbetjet mortore, kërkohet hetim i shpejtë
Në mesin e viktimave në autobusin....

Në mesin e viktimave në autobusin që mori flakë në Bullgari ishte edhe mësimdhënësja e Shkollës “Naim Frashri” në fshatin Studeniçan e lindur në vitin 1982. Ajo humbi jetën bashkë me vajzën, Anisa Iseni, e lindur në vitin 2007.
Nga kjo humbje janë të tronditur të gjithë ekipi i shkollës, nxënësit, familjarët dhe ata që i njohën.
“Është një tragjedi e madhe, mundohemi ta tejkalojmë këtë humbje të madhe të mësueses e cila ishte shëmbëllyer edhe për ne si shkollë edhe si rrethinë. Ajo e deshi arsimin, i donte nxënësit, e ka dashur ardhmërinë e kësaj shkolle.”,- tha drejtori i Shkollës “Naim Frashëri”-Studeniçan, Idriz Shabani.
Në këtë tragjedi, familja Iseni humbi katër anëtarë që ishin nisur për një fundjavë në Turqi, e cila përfundoi e kobshme për ta.
“Sa e kuptuam lajmin, tentuam të kontaktojmë kompaninë përkatëse, por dyert ishin të mbyllura, veç sigurimit policor nuk ishte asnjë aty. Aty për aty vendosëm që të udhëtojmë për në Sofje që të marrim ndonjë informatë më burimore. Puna e parë që bëmë ishte vizita në spital ku ishin dërguar të mbijetuarit. Për disa minuta arritëm të verifikojmë listat e të lënduarve, për fat të keq asnjëri nga anëtarët tanë nuk rezultoi të jetë në spital. Këtu e kuptuam se ata ishin në mesin e personave që kishin humbur jetën.”,- u shpreh pjesëtari i familjes, Fati Iseni.
Familja Iseni vajton edhe për viktimat e familjes Hajiu e Muhaxheri, me të cilat janë në lidhje farefisnore të afërt.
“Bëhet fjalë për motrën e Fikrije Isenit, e cila ka qenë në të njëjtin autobus me fëmijët e saj. Gjithashtu edhe pjesëtarët tjerë të familjes nga miqtë tanë kanë qenë në të njëjtin autobus. Familja Jahiu, Iseni janë miq, bëhet fjalë për të njëjtën familje. Bëhet fjalë për një lidhje familjare, pra miq.”,- tha pjesëtari i familjes, Fati Iseni.
Menjëherë pas kësaj tragjedie, komuna e Studeniçanit ka mbajtur mbledhje urgjente sepse shumica e viktimave ishin banorë të kësaj komune.
“Jemi në kontakt me këshillin koordinues të Qeverisë për procedurën e sjelljes së kufomave se si do të vazhdojë dhe ta përgatisim organizimin e varrimit të të ndjerëve. Si komunë jemi shumë të prekur, sepse një numër i madh i të vdekurve ishin banorë të komunës sonë ose me prejardhje nga komuna jonë, të cilët janë shpërngulur në Shkup.”,- deklaroi kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
Kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, por edhe drejtori i Shkollës “Naim Frashri” kërkuan zbardhjen e plotë të rastit. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
