LSDM të premten vendos për dorëheqjen e Zaevit, “Alternativa” të premten vendos nëse do të hyjë në qeveri

25.11.2021 15:08

Organet e LSDM-së, të premten do të vendosin....

Organet e LSDM-së, të premten do të vendosin nëse do të pranojnë dorëheqjen e kryetarit të partisë, Zoran Zaev, ose do ta refuzojnë atë. Situata është konfuze, pasi vetë kreu i LSDM-së, njëkohësisht kryeministër, Zoran Zaev, reteroi nga dorëheqjet e paralajmëruara pas zgjedhjeve lokale me arsyetimin se partnerët e koalicionit dhe miqtë ndërkombëtar kërkojnë që ai të mbetet në pozitat që ka.

Edhe Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti Qendror i LSDM-së, si organi më i lartë mes dy kongreseve të partisë, më 09 nëntor vendosi që Zaev të pezullojë dorëheqjen për shkak të zhvillimeve në vend dhe mundësisë që në dhjetor të hapen negociatave me BE-në.

Pak ditë më parë, sekretari përgjithshëm i LSDM-së, Ljupço Nikolloski, tha se LSDM kishte zgjedhje të drejtpërdrejta për zgjedhjen e kryetarit të partisë ku pati vetëm një kandidat, përkatësisht u rizgjodh Zoran Zaev në krye të partisë.

Kjo lë të kuptohet se Zaev gëzon përkrahjen e partisë dhe se dorëheqja mund të refuzohet.

Dorëheqja e mundshme e Zaevit nga kreu i partisë dhe nga drejtimi i Qeverisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe mundësinë e rikrijimit dhe zmadhimit të shumicës parlamentare, e cila ka mbetur pezull pas vendimit të Lëvizjes Besa që të braktis Qeverinë dhe të kalojë në opozitë.

Ftesa e Zaevit për të përfshirë në qeveri partinë “Alternativa” pritet të marrë formë gjatë së premtes.

Partia opozitare “Alternativa” ka caktuar seancën e Kryesisë Qendrore për më 26 nëntor, ku duhet të merret vendim nëse do të pranojnë ftesën e Zaevit ose do të mbeten në opozitë.

Anëtari dhe deputeti i “Alternativës”, Skender Rexhepi, deklaroi për Agjencinë Informative Maqedonase se të premten në mbrëmje anëtarët e Kryesisë Qendrore duhet t’i japin orientim Kuvendit Qendror, organit më të lartë të partisë dhe do të vendosë nëse do të bëhen pjesë e Qeverisë dhe e shumicës parlamentare apo do të mbeten pjesë e bllokut opozitar.

“Besoj se në një dialog do të përballemi me të gjitha argumentet “për” dhe “kundër” dhe se do të merret një vendim i duhur.”,- thotë Rexhepi.

Sipas tij, nëse “Alternativa” vendos të bëhet pjesë e Qeverisë, kusht duhet të jetë prioriteti i programit të partisë para pozitave të pushtetit.

Ftesa për pjesëmarrje në Qeveri u zyrtarizua javën e kaluar në një takim mes kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe kryetarit të partisë “Alternativa”, Afrim Gashi. Nëse “Alternativa” bëhet pjesë e Qeverisë, ky vendim do të rrisë edhe shumicën parlamentare me katër deputetë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)