Mjekësia ligjore, Stankov: Duhet të pritet për numrin definitiv të trupave
Ka përfunduar autopsia e trupave nga fatkeqësia...

Ka përfunduar autopsia e trupave nga fatkeqësia në Bullgari. Sa i përket deklarimeve të fundit të hetuesve bullgarë se në mbetjet e autobusit janë gjetur 44 trupa, shefi i ekipit, Stankov, thekson se duke pasur parasysh intensitetin e zjarrit dhe gjendjen e trupave që janë gjetur, prapë se prapë duhet të pritet për numrin definitiv të trupave deri sa nuk përfundon procedura në tërësi.
“Patjetër të ju them se është zjarr i madh, sepse ndoshta ekzistojnë pjesë të trupit që duhet të bashkohen me një trup. Duhet të presim të përfundojë analiza e AND-së që të shohim se si do të jetë. Pa përfundimin e analizave nuk dua të spekuloj.”,- deklaroi drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Stankov, theksoi se nuk janë ballafaquar me asnjë problem gjatë procesit të autopsisë pas inkuadrimit të ekipit nga RMV.
“20 trupa ishin përfunduar kur ne hymë në procedurë. Nuk dyshojmë në asgjë absolutisht. Merren materiale të AND-së nga viktimat, ne morëm nga familjarët në Shkup dhe deri nesër do të duhet të jemi gati me raportin e plotë dhe të dërgohet në Bullgari.”,- u shpreh drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov.
Profilet e përpunuara të AND-së nga familjarët e viktimave do t’i marrin prokurorë të Bullgarisë që t’i identifikojnë viktimat, pas çka do t’i dorëzohen familjeve. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
