Maqedoni

Rritet numri i të mbijetuarve, nuk dihet kush është i shpëtuari i tetë

25.11.2021 16:03

Zëdhënësja e kryeprokurorit bullgar, Sijka Mileva, tha se në tragjedinë me autobusin maqedonas që ndodhi në Bullgari...

Zëdhënësja e kryeprokurorit bullgar, Sijka Mileva, tha se në tragjedinë me autobusin maqedonas që ndodhi në Bullgari kanë shpëtuar tetë pasagjerë, jo shtatë, siç ishin informacionet fillestare dhe këtë e ka thënë njëri nga udhëtarët që ka mbijetuar.
 
Siç shpjegoi ajo, i mbijetuar kategorikisht ka deklaruar se 8 persona janë shpëtuar. Mileva thotë se dyzet e katër trupa u gjetën në vendin e përplasjes së autobusit, ndërsa 7 të hospitalizuarit gjatë marrjes në pyetje ishin në gjendje psikike shumë të rënduar. 
 
“Kështu është matematika e thjeshtë që kemi të dhëna se në autobus ishin 52 pasagjerë. Ne gjetëm 44 kufoma, 7 persona, 4 burra dhe 3 gra u shtruan në spital. Enigma e madhe mbetet ku është personi i tetë? Ne punojmë sipas atij versioni, nuk duam të ngatërrojmë publikun. "Mund të jetë gjithashtu një deklaratë e papërshtatshme nga një dëshmitar okular.",- deklaroi zëdhënëse e kryeprokurorit, Sijka Mileva.
 
Pas kësaj deklarate të Milevës shtrohet pyetja: ku është udhëtari i tetë që i mbijetoi aksidentit të autobusit në Bullgari? Autoritetet bullgare po hetojnë pasagjerin që hë për hë nuk dihet as kush është e as ku gjendet.
 
Hetohet nëse ai ka hipur në një autobus tjetër dhe çfarë ka ndodhur me të. Sipas autoriteteve hetimore, deri më tani janë marrë në pyetje dy dëshmitarë, pra të mbijetuarit e aksidentit dhe versionet e tyre përputhen dhe janë objektive.
 
A është pasagjeri i tetë që i mbijetoi aksidentit, 36 vjeçari arab - Shadi Nauf al Saleh, nga Emiratet e Bashkuara, që del nga lista që kanë marrë familjarët e të mbijetuarve në spitalin e Sofjes dhe pohohet edhe nga djali i njërit prej shoferëve, por që mungon në listën që qarkullon në media? 
 
Pyetja tjetër që shtrohet është ajo se cili nga personat në listën paraprake të 52 njerëzve që kanë qenë në autobus, e ku nuk figuron emri al Saleh, ka shkuar në ndonjë autobus tjetër dhe kush është ai. Lidhur me këto dilema deri në këto momente nuk ka asnjë reagim nga MPJ. 
 
SANIJE DURAKU