Maqedoni

Tre përmendoret shqiptare, ende askund

17.12.2014 18:14

Ende askush nuk e di se kur do të vendosen tre përmendoret shqiptare në kryeqytet...

Edhe pse vendosja e përmendoreve e të tre heronjve shqiptarë, Pjetër Bogdani, Josef Bageri dhe Nexhat Agolli janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, akoma fati i tyre mbetet i paqartë. 
 
Kryetari  i  Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, nuk jep informacione të sakta se në cilën fazë të punimit janë përmendoret shqiptare. Por, Zhernovski fajëson pushtetin qendror për ngecjen e këtij projekti.  
“Unë edhe njëherë do të përsëris qëndrimin tim, unë në asnjë moment nuk do të pengoj vendosjen e përmendoreve shqiptare në Komunën Qendër, kjo procedurë veç më ka mbaruar dhe të hollat janë lëshuar me kohë. Sa e di unë,  deri në këto momente postamentet janë duke u bërë dhe përmendoret duhet të mbërrijnë”- deklaroi kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
 
Zhernovski, shkon më larg me akuzat e tij. Sipas kreut të Qendrës,  përmendoret shqiptare janë kurthi që është ngritur ndaj tij për ta prezantuar madje si njeri që krijon probleme ndëretnike.
 
“Nuk kam asnjë dyshim se tre përmendoret shqiptare janë lënë të parealizuara deri më sot, si një kurth ndaj meje, që të rrëzohet udhëheqësia ime në këtë komunë, mirëpo unë nuk do të lejoj kjo çështje të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në vend. Nuk e di saktë se kur do të vendosen  përmendoret, por di të them se momenti i parë kur të njëjtat do të mbërrijnë, opinioni do të jetë i informuar rreth kësaj dhe sigurisht se të njëjtat nuk do të vendosen në 2 apo 3 të natës”- tha Zhernovski.
 
Vendosja e përqendrove të Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit në Shkup u bë histori në vete, për shkak të mosmarrëveshjes së Pushtetit Lokal dhe atij Qendror.
 
Me vendosjen e këtyre tre përmendoreve shqiptare, duhej të ndryshonte karakteri monoetnik i projektit “Shkupi 2014”.
 
REXHEP QAMILI