Maqedoni
Usht-ja sot shënoi njëzetvjetorin e themelimit
17.12.2014 19:03
Universiteti Shtetëror i Tetovës shënon njëzet vjetorin e themelimit...

Dy dekada nga ligjëratat e para, të realizuara në auditoret e improvizuara nëpër shtëpi private, autoritetet e UShT-së sollën në kujtesë vullnetin e pamposhtur të shqiptarëve për arsim sipëror në gjuhën shqipe, por edhe kundërshtimin e dhunshëm të intitucioneve të kohës.
Në Akademinë solemne, Rektori i Universitetit, Vullnet Ameti tha se themelimi i UT-së ishte projekti më madhor i shqiptarëve për shekullin që lëmë pas.
“Themelimi i UT-së më 17 dhjetor 1994, padyshim se është projekti më i madh për shqiptarët e Maqedonisë në shekullin që lëmë pas. Ai u themelua në një kohë të turbullt historike dhe në rrethana të vështira, kur mbi shqiptarët ushtrohej një represion i paparë ideologjik dhe politik. Gjithsesi kjo situatë e rënduar paraqiste një brengë të madhe për shumë itelektualë shqiptarë të Maqedonisë, të cilët në vitin 1994 të prirë nga prof. Fadil Sulejmani e themeluan UT-në. Kjo ngjarje u mirëprit nga mbarë populli shqiptarë, por jo edhe nga politika shtetërore e kohës”, shprehet rektori i UShT-së, Vullnet Ameti.
Edhepse 10 vjet funksionoi sipas ligjit të vullnetit të shqiptarëve të Maqedonisë, UShT u zyrtarizua dhe ka bështetjen e plotë të institucioneve. Ministri i arsimit dhe shkencës premtoi mbështje edhe më të madhe që Universiteti i Tetovës të mund të përballet me sukses me sfidat e kohës.
“Funksionimi nën përkrahjen shtetërore dhe nevoja e rinisë sonë bën që ky universitet të ketë më shumë fakultete me grupe studimore. Sot UShT mëton të jetë universitet i të gjithë të rinjve të Maqedonisë dhe është i hapur për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të studiojnë në të. Numri i studentëve që përcaktohen për të studiuar në këtë universitet është në rritje të vazhdueshme, krahasuar me numrin e studentëve të pranuar në universitetet tjera në vend, tregues ky që dëshmon zhvillimin dhe funksionimin e tij drejt standarteve të universiteteve evropiane”, shprehet ministri i arsimit Abdylaqim Ademi.
Në këtë vit jubilar, UShT u ndau titullin Honoris Causa katër profesorëve universitar, dhe atë: Prof. Dr. Dhori Kule, Prof. Dr. Shezair Rrokaj, Prof. Dr. Petrit Bara dhe Prof. Dr. Mynir Koni. Titulli u ndahet për kontribut të posacëm në arsim, shkencë dhe kulturë, dhe për përkushtimin e tyre në njohjen, ngritjen dhe zhvillimin e UShT-së.
“Si tempull i dijes ka një rrugëtim epik, të vecantë. Nuk kam verifikuar dhe nuk di me c’kam lexuar, c’kam parë dhe c’kam verifikuar që të ketë të tillë histori ndonjë universitet tjetër në botë. Dhe ajo që kam parë në festimet e këtyre ditëve do të ndaja dy tre mesazhe të rëndësishme. I pari është institucioni i mirënjohjes”, shprehet fituesi i titullit Honoris Causa, Dhori Kule.
Universiteti Shtetëror i Tetovës tashmë është një institucion me traditë arsimore dhe veprimtarinë e tij e zhvillon në të dy cikle të studimeve, studimet themelore dhe ato të magjistraturës, gati në të gjithë 11 fakultetet dhe dhjetëra programet studimore, në të cilat i ndjekin studimet mbi 16 mijë studentë.
SHPËTIM NUREDINI
