Tragjedia në Bullgari, dy të mbijetuar nesër transferohen në Shkup

26.11.2021 18:19

Dy nga shtatë të mbijetuarit e aksidentit tragjik....

Dy nga shtatë të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Bullgari të shtunën do të transferohen në klinikat e Shkupit. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile njofton ministri i jashtëm, Bujar Osmani, i cili tha se trasferimi i  të lënduarve do të vijojë ditëve në vazhdim deri më 1 dhjetor.

Shtetasi serb do të transferohet në Serbi.

“Planifikohet që nesër 27 nëntor të lëshohen në shërim shtëpiak dy të lënduarit e parë, pastaj më 28 –in dy të tjerët, më 30-in dy të tjerë dhe një person më 1 dhjetor. Transferimi i tyre do të organizohet nga ministria e shëndetësisë dhe ata fillimisht do të transferohen në spitalet këtu në Shkup dhe kur të bëhet vlerësimi mjekësor të vazhdohet trajtimi i tyre në kushte të shtëpisë.” – tha Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Transporti i kufomave duhet të vijojë kah mesi i javës që vjen, njofton Osmani pasi të përfundojë procesi i identifikimit duke bërë krahasimin e materialve të DNK-së së familjarëve me viktimat.

“Ditëve në vijim do të kem komunikim me familjarët e viktimave për të parë se cilat janë pritjet e tyre për dorëzimin e kufomave ashtuqë bashkarisht me ta do ta organizojmë procedurën e transferimit të kufomave këtu në Shkup.” – u shpreh Osmani.

Instituti i mjekësisë ligjore në Shkup ka siguruar material biologjik nga familjarët e 44 udhëtarëve të ndjerë dhe këto profile të DNK-së do të dërozohen ekspertëve bullgarë që deri të dielën pritet të qëndrojnë në vend për të siguruar gjitha të dhënat e nevojshme. Për udhëtarin e 45 materiali DNK-së është siguruar në Sofje. (Meral Ismaili, TVM2)