Botë

Sulmi në Gllogjan, i kryer nga një person i vetëm me kallashnikov

27.11.2021 11:22

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit...

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku të vdekur mbetën dy nxënës-maturantë dhe shoferi i autobusit. 

Policia e tregon se autobusi që ishte në qarkullim nga Gjakova për në Gllogjan ku ishin tetë pasagjerë, ishte sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë e llojit AK-47. I dyshuari i këtij akti kriminal gjendet ende në arrati. 
 
Policia ka thënë se tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Ndërsa dyshimet e para janë se sulmin makabër e ka kryer një person i vetëm. 
 
Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë. 
 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur krim mizor e brutal, sulmin në Deçan. Edhe Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë dënuar sulmin që ndodhi në Deçan. I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave. Ndërkaq në reagimin që ka bërë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është thënë që shpresojnë se i dyshuari të sillet sa më shpejt para drejtësisë. Të tronditur janë shprehur edhe liderët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.