Maqedoni
Organizata “Zemër Trime”: Pacientët me zemër mekanike, të mos pagojnë për shërbime shëndetësore
27.11.2021 16:21
Organizata “Zemër Trime” kërkon që pacientët me mbështetje mekanike të zemrës të përjashtohen nga pagesa...

Organizata “Zemër Trime” kërkon që pacientët me mbështetje mekanike të zemrës të përjashtohen nga pagesa për shërbimet shëndetësore. Bëhet fjalë për 15 pacientë të tillë në vend, gjë që nuk do të jetë një barrë e madhe për buxhetin. Shoqata thotë se ka qenë një premtim që e kanë marrë para një vit e gjysëm dhe presin që të realizohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
“Në periudhën e fundit e kemi përditësuar sërish dhe kemi besim të fortë dhe premtime se me buxhetin e ri për vitin 2022, pacientët me mbështetje mekanike do të lirohen plotësisht nga bashkëpagesa për shërbimet shëndetësore, që është një lehtësim i madh për ne si pacientë.”, tha Vasko Joleski, kryetar i organizatës “Zemër Trime”.
Pesë transplantet e suksesshme të zemrës në vend, të kryera deri më tani, ngjallin shpresë tek pacientët që presin një shans për një jetë të re. Por ngritja e ndërgjegjësimit për dhurimin e organeve është thelbësore, për të cilën shoqata po zhvillon një fushatë të fortë.
“Mjekët kanë vendosur të nisin një punë të madhe siç janë transplantet, të cilat janë arritja më e lartë në mjekësi në fushën e sëmundjeve kardiovaskulare. Është për tu lëvduar sepse kanë treguar dhe dëshmuar se janë mjaft të suksesshëm.”, tha Joleski.
Njëzet e pesë persona në vend janë ende në pritje të transplantit të zemrës.Majin e kaluar, në kulmin e pandemisë, u krye transplanti i parë i suksesshëm në vend, më pas i ndjekur edhe nga katër të tjerë.
ILMIE ZHAKU
