Maqedoni
Eurodeputeti Kyçyk: Për integrim në BE, duhet punë dhe reforma
27.11.2021 17:23
Për të parë Maqedoninë e Veriut pjesë të BE-së duhet të punojnë të gjithë politikanët, tha eurodeputeti Ilhan Kyçuk....

Për të parë Maqedoninë e Veriut pjesë të BE-së duhet të punojnë të gjithë politikanët, tha eurodeputeti Ilhan Kyçuk. Ai nuk konkretizoi nëse Maqedonia e Veriut do të merr date për fillim të bisedimeve në dhjetor. Por sipas tij rajoni nuk ka alternativë tjetër përveç marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe se suksesi I Maqedonisë së Veriut do të jetë sukses edhe i rajonit edhe i BE-së.
“Pritet një raport, i cili do të pasqyrojë tendencat pozitive në vend, por edhe atë që duhet bërë në muajt në vijim, reformat, të cilat duhet të thellohen. Unë vërtet besoj se diplomacia nuk ka pikë, ka vetëm presje. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet diplomatike dhe politike për të arritur qëllimin, i cili është shumë më i madh se sa që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të kenë marrëdhënie të mira. Ajo lidhet me lëvizjen e gjithë rajonit drejt BE-së.”, tha Ilhan Kyçuk, eurodeputet.
Kontesti i Shkupit me Sofjen, Kyçyk: Nacionalizmi nuk është argument
I pyetur për gjetjen e zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë, Kuçuk tha se çdo mundësi duhet të shqyrtohet dhe të punohet në të. Megjithatë, ai theksoi se Marrëveshja bazohet në besimin e ndërsjellë dhe mënyra e vetme që të korrigjohet besimi është që palët të kthehen në tryezën e negociatave.
“Nuk kemi nevojë një nacionalizëm ta ngritë një nacionalizëm tjetër. Kur ka nacionalizëm nga ana e Shkupit, i njëjti nacionalizëm ngrihet nga ana e Sofjes. Nacionalizmi nuk është argument, ai nuk mund të jetë forca lëvizëse në shekullin 21. Mbrojtja dhe respektimi i vetëm i të drejtave të njeriut, duke i përfshirë të drejtat e pakicave dhe pjesëmarrjen e të gjithëve në një proces të barabartë dhe të barabartë demokratik mund të garantojë shkallë më të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.”, tha Kyçuk.
Kyçuk këto komente i bëri pas vizitës në shkollën fillore Ismail Qemali në Çair, të cilën e vizitoi në shenjë ngushëllimi pas aksidentit tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 shtetas.
ERSAN PAJAZITI
