Kumanovë, vaksinohen qytetarë kundër gripit sezonal

30.11.2021 14:00

Mbi 1.700 qytetarë të komunës së Kumanovës, në Qendrën për Shëndet Publik në këtë qytet janë vaksinuar....

Mbi 1.700 qytetarë të komunës së Kumanovës, në Qendrën për Shëndet Publik në këtë qytet janë vaksinuar me vaksinat kundër gripit sezonal. Këtë e konfirmoi edhe kryeshefja e dhomës epidemiologjike, Jadranka Stamenkovska, e cila tha se bëhet fjalë kryesisht për pacientë me sëmundje kronike e të cilët paraqiten përmes “Termini Im”.
 
“Qendra për Shëndet Publik gjithashtu ka furnizuar 400 doza vaksina komerciale, nga të cilat tashmë i kemi dhënë 250 doza të vaksinave dedikuar atyre personave që nuk i plotësojnë kushtet përmes “Termini Im”, që të vaksinohen pa pagesë. Për momentin disponojmë me 150 doza të vaksinave.”,- tha për TVM2, dr. Jadranka Stamenkovska – QSHP – Kumanovë.
 
Gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 70 punëtorë shëndetësorë, por është kryer edhe vaksinimi i 66 të strehuarve në Shtëpinë e të Moshuarve “Zafir Sajto”.
 
“Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar nga 12 nëntori. Të sëmurët kronikë, të moshuarit mbi 65 vjet, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të punësuarit shëndetësorë të cilët duan të vaksinohen paraqiten përmes ueb faqes vakcinacija.mk, e më pas përmes sms porosive njoftohen për datën, orën dhe vendin e vaksinimit.”,- tha për TVM2, Stamenkovska.
 
Sivjet numri i të vaksinuarve me vaksinat kundër gripit sezonal, deri tash mbi 1.700 është shumë më i madh në krahasim me vitet e kaluara kur evidentoheshin prej 800 deri 1.000 të vaksinuar.
 
FATLUM AQIFI