Ema: Vaksinë e re kundër variantit “Omicron”

30.11.2021 14:36

Vaksinat janë mjeti kryesor kundër variantit....

Vaksinat janë mjeti kryesor kundër variantit të ri të virusit Korona, “Omicron”, thonë  Agjencia Europiane e Barnave. Duke folur në Parlamentin Europian, drejtoresha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke, tha se planet e emergjencës janë gati për t’u përballur me variantin “Omicron”.

Drejtoresha e rregullatorit të Bashkimit Europian, duke paralajmëruar aprovimin e një vaksine të re anti-Covid të modifikuar për të luftuar “Omicron”, tha se nëse nevojitet ndryshimi i vaksinave ekzistuese, ne mund t’i aprovojmë ato brenda 3 apo 4 muajve. Por së pari, duhet të merret një vendim nëse kjo është e nevojshme.

Sipas EMA-s ,  duhet të bëhet më shumë për të rritur nivelin e vaksinimit në disa vende anëtare të BE-së dhe një ndryshim në metodat e luftimit të pandemisë. Pavarësisht planeve gati të emergjencës, drejtoresha e rregullatorit të BE-së konfirmoi se vaksinat aktuale janë të efektshme dhe mbrojnë qytetarët ndaj Covid-19.

Moderna: Vaksinat aktuale, jo shumë efikase

Megjithatë, shefi ekzekutiv i “Modernës”, Stefan Bancel, parashikon rënie të konsiderueshme të efektshmërisë së vaksinave aktuale kundër variantit “Omicron”. Në intervistën e dhënë për Fianancial Times, Bancel pohon se nuk mund të thotë se në ç’masë do të reduktohet mbrojtja e vaksinave, por se shkencëtarët nuk janë optimist.

Fjalët e shefit të Modernas patën ndikim të fortë në tregjet financiare, duke çuar në pikiatë bursat dhe çmimin e naftës.

Varianti Omicron duke se është tani i pranishëm në 5 kontinente. Mbi 33 janë rastet e konfirmuara në Europë, me Francën që u bë e fundit që identifikoi virusin në territorin e saj.

Omicron u zbulua fillimisht në Afrikën e Jugut, ku është regjistruar edhe numri më i lartë i rasteve, mbi 114 sipas të dhënave.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e të gjitha rastet e konfirmuara kanë historik udhëtimesh nga vendet afrikane.