Maqedoni
Vazhdojnë hetimet për tragjedinë në Bullgari, Ruskovska: Janë marrë edhe 4 dëshmi të reja
30.11.2021 15:26
Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vazhdon bashkëpunimin me Prokurorinë bullgare...

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vazhdon bashkëpunimin me Prokurorinë bullgare për të zbardhur sa më shpejt aksidentin tragjik në të cilën humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan në Bullgari. Shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar në vend, Villma Ruskoska, informon se për këtë rast janë marrë edhe katër dëshmi të reja të udhëtarëve të cilët udhëtonin në autobusët tjera natën e 23 nëntorit. Pa marrë parasysh se të gjithë dëshmitarët kategorikisht hedhin poshtë se në autobus të ketë pasur bidonë me benzinë dhe mjete tjera shpërthyese, Ruskoska thotë se ekspertiza e fundit e hetuesisë do të japë përgjigjen e fundit se çfarë e ka shkaktuar zjarrin dhe pse u dogj aq shpejt autobusi në autostrada.
“Sot i morëm në pyetje edhe katër udhëtarë të autobusëve tjerë që kishin shkuar në ekskursion në Turqi. Nuk i kam parë dëshmitë e tyre hollësisht, mirëpo nga ajo që më informuan askush prej tyre nuk ka thënë se në autobusët e “Besa Trans” ka pasur mjete piroteknike ose bidonë me benzinë. Ata mohojnë një gjë të tillë, por për epilogun përfundimtar se çfarë e ka shkaktuar zjarrin duhet pritur ekspertizat përfundimtare të autoriteteve bullgare.”,- deklaroi shefja e PNKOK-së, Villma Ruskoska.
Në konsultim me ekspertët, Ruskoska ka arritur të konstatojë se nafta është shumë e vështirë për t’u ndezur, por pa marrë parasysh këtë, ajo nuk përjashton mundësinë që në autobus të ketë pasur shkëndija të shumta që e ka shkaktuar zjarrin me përmasa të tilla. Ruskoska thotë se në Prokurorinë Themelore aktualisht po zhvillohet një procedurë parahetimore e cila nuk heton arsyet e aksidentit të autobusit në Bullgari, por aspekte tjera, si për shembull si është lejuar plot 135 herë këtë vit autobusi të dalë jashtë vendit pa licencë për transport ndërkombëtare. Ruskoska nuk përjashton mundësinë që rasti i hetimit të djegies së autobusit të vazhdojë edhe në RMV. Në Qendrën Klinike mbrëmë vonë u sollën edhe 2 prej të lënduarve në aksidentin tragjik, për të cilën mjekët informuan se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në ndërkohë në Bullgari vijon procesi i identifikimit të 45 trupave të pajetë, ndërsa viktimat e tragjedisë së Bullgarisë priten të mbërrijnë gjatë ditës së premte në RMV. Transportin e trupave të pajetë e organizojnë autoritet e vendit tonë.
REXHEP QAMILI
