Maqedoni

Bisedimet për shumicën e re, “Alternativa” shqyrton epilogun e takim Zaev-Gashi

30.11.2021 16:05

“Alternativa” po shqyrton detajet për qeverisje të përbashkët me LSDM-në....

“Alternativa” po shqyrton detajet për qeverisje të përbashkët me LSDM-në, pas takimit të një dite më parë mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe kreut të “Alternativës”, Afrim Gashi. Prioritet mbetet dalja nga kriza politike edhe pse diskutohen edhe resorët dhe zgjidhjet kadrovike, por pa dhënë detaje.  
 
“Momentalisht po finalizojmë parimet e qeverisjes së përbashkët dhe përcaktimet programore. Më pas vijon pjesa për resorët dhe politikën kadrovike. Sa u përket pozitave që duhet të ketë “Alternativa” në pushtetin e ardhshëm, deri më tani nuk kemi ofertë konkrete dhe as kërkesë nga ana jonë.”, - njoftojnë nga Alternativa. 
 
Qeveria konfirmoi për arritjen e një marrëveshje në parim për pjesën programore nga bashkëpunimi i mundshëm i ardhshëm, i shprehur përmes pjesëmarrjes politike dhe ekzekutive të “Alternativës” në Qeveri.
 
“Bashkëbiseduesit janë të mendimit se kursi reformues dhe evropian për të cilin janë përcaktuar qytetarët dhe shteti duhet të vazhdojnë dhe se në këto momente më i rëndësishëm është stabiliteti i institucioneve të shtetit, të cilat u shërbejnë qytetarëve.”,- thuhet në kumtesën e Qeverisë.
 
VMRO-DPMNE: Qëndrimi i “Alternativës”, kontradiktor
 
Përderisa Zaev përpiqet të rikrijojë shumicën parlamentare, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qëndrimet e Alternativës u duket kontradiktore, pas nismës së përbashkët për të rrëzuar po këtë qeveri.
 
“Tani jemi në hap që pikërisht Alternativa, të shohim nëse do të futet në Qeveri, nga e cila doli më herët. Në të cilën ka një kontradiktë pasi pikërisht nga “Alternativa” kishte një ministër në këtë Qeveri për të cilin Anti-korrupsioni dorëzoi dokumente në Prokurori që të ndiqet për keqpërdorim të mjeteve buxhetore.”,- u shpreh Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
 
Gjatë javës pritet takim i ri Zaev-Gashi në të cilin do të diskutohet për ndarjen e resorëve dhe çështjet kadrovike, për të cilat kanë filluar bisedimet për ndërmarrje dhe ndarje të përgjegjësive dhe janë këmbyer mendime rreth zgjidhjeve të mundshme kadrovike. 
 
SHPËTIM NUREDINI