Maqedoni
Ekspertiza për aksidentin tragjik në Bullgari, Komitova: “Struma”, as magjistrale e as autostradë
30.11.2021 16:28
Autostrada “Struma”, vendi ku ndodhi tragjedia me autobusin javë më parë ka pasur shumë defekte....

Autostrada “Struma”, vendi ku ndodhi tragjedia me autobusin javë më parë ka pasur shumë defekte, por nuk janë shkak për aksidentin ku humbën jetën 45 persona, kjo u tha në konferencën e ministres për zhvillim rajonal në Bullgari, Violeta Komitova, gjatë publikimit të rezultateve nga kontrolli i rrugës ku ka ndodhur aksidenti. Sipas saj, ky aks rrugor nuk mund të quhet as magjistrale as autostradë, si dhe është ndërtuar sipas standardeve të vitit 2002 që nuk janë të njëjta me ato të viti 2021. Ndërsa një nga ndryshimet e rrezikshme ishte edhe ndryshimi i limitit të shpejtësisë nga 90 në 120 kilometra për orë.
“Ajo rrugë, sipas karakteristikave teknike, nuk përshtatet për magjistrale. Në shikim të parë duket se është e gjerë, por për optikën e lirë të syrit, ka shumë detaje të cilat syri edhe nuk mund t’i perceptojë si të tilla.”,- tha ministrja për zhvillim rajonal në Bullgari, Violeta Komitova.
Ekspertiza për aksidentin tragjik në Bullgari, Komitova: Shumë faktorë shkak për tragjedinë
Ajo nuk mundi të japë një përgjigje konkrete nëse faktori sinjalizim ka qenë shkas për aksidentin, pasi që, siç thotë Komitova, moti, autobusi, gjendja momentale e shoferit si dhe shumë faktorë të tjerë më së shpeshti veprojnë bashkërisht. Ende nuk është e qartë se si me një goditje aq të dobët autobusi të marrë flakë aq shpejt, thotë ajo.
“Nuk dua të duket si arsyetim, por nëse dikush nga ju mund të thotë se bankinat ose sinjalizimi kanë qenë shkaku, le të deklarohet. Por, unë një gjë të tillë nuk mund ta bëj.”,- u shpreh ministrja për zhvillim rajonal në Bullgari, Violeta Komitova.
Sipas arkitektit, Vllado Kalinov, me ndryshimin e kufizimit janë ndërruar vetëm tabelat e sinjalizimit rrugor, por sipas tij nuk janë për vozitje me atë shpejtësi.
“Ajo që na shqetëson është se në vetë projekt kthesat e rrugës janë pak mbi 4%, që do të thotë se shpejtësia duhet të jetë 90 km/h. Me shpejtësi më të madhe veturat kthehen majtas dhe në rastin e aksidentit, autobusi shkoi djathtas, gjë që është parakusht për të supozuar se autobusi ka lëvizur me shpejtësi të ulët.”,- tha arkitekti, Vllado Kalinov.
Një nga masat urgjente të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal në Bullgari është kufizimi i shpejtësisë në 90 km/orë deri në përfundimin e analizave të detajuara dhe më pas përcaktimi i shpejtësisë maksimale të lejuar. Së dyti - vendosja e reflektorëve çdo 10 - 12 m në vetë parmakët.
SANIJE DURAKU
