Maqedoni

Anketë: progres në cilësinë e jetesës në Maqedoni

18.12.2014 15:45

Pushteti Lokal duhet edhe më tepër të angazhohet në hapjen e vendeve të reja të punës...

Pushteti Lokal duhet edhe më tepër të angazhohet në hapjen e vendeve të reja të punës, të mbështesë rregullisht familjet me asistencë sociale dhe të rrisë zhvillimin ekonomik lokal, ndonëse në 5 vitet e fundit është shënuar progres në përmirësimin e cilësisë së jetesës në RM-së.
 
Kështu kanë vlerësuar qytetarët e anketuar nga organizata UNDP në lidhje me ngritjen e cilësisë së jetesës dhe shërbimeve lokale nëpër vendbanime të ndryshme të Maqedonisë.
 
Këto të dhëna u shpalosën me rastin e konferencës së dytë vjetore, të organizuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe organizata UNDP, me temë “Decentralizimi dhe zhvillimi lokal nga perspektiva e anëtarësimit të ardhshëm nga BE”.
 
“Anketa që e realizuam këtë vit me qytetarë lidhur me përmirësimin e cilësisë së jetesës në rrethet ku ata jetojnë, tregon se qytetarët janë të kënaqur me arritjet e deritanishme nga angazhimi i strukturave komunale. Por, në anketë janë theksuar edhe disa vërejtje, ku kërkohet angazhim më i madh i komunave në aspektin e mbështetjes sociale, zhvillimit lokal, hapjen e vendeve të reja të punës, të cilat mbetën sfidë për Maqedoninë në tërësi”- deklaroi koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Luiza Vinton.
 
“Ne, pas gjitha analizave dhe anketave që i kemi bërë në tërë në territorin e Maqedonisë, kemi arritur të identifikojmë të ashtuquajturat mangësi, të cilat i kemi pasur gjatë periudhës së kaluar dhe do të ndikojmë me indikator dhe masa konkrete që t’i fusim në programin e ri, me qëllim të tejkalimit të tyre. Shfrytëzoj rastin që të përgatisim projekte sa më kualitative, që në fillimin e vitit 2015 të aplikojmë në shpalljet publike” - tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.
 
“Republika e Maqedonisë, në mënyrë aktive po punon në ngritjen e nivelit të organizimit dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve. Kemi rezultate të mira dhe kontribuojmë që ato të rriten edhe më tepër”- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, theksuan se pushtarët lokal meritojnë më tepër përkrahje financiare nga Qeveria e Maqedonisë, për të realizuar programet e tyre zhvillimore, që dërgojnë drejt përmirësimit të kushteve të jetesës ku ata jetojnë dhe drejt anëtarësimit të vendit në strukturat evropiane. 
 
VALBON BEXHETI