Maqedoni
Zgjedhjet në LSDM, Remeski e Kovaçevski dorëzojnë kandidaturat
01.12.2021 14:01
Në selinë e LSDM-së arritën kandidaturat e para për kryetar të kësaj partie....

Në selinë e LSDM-së arritën kandidaturat e para për kryetar të kësaj partie. Ish ministrja, Frosina Remeski, është e para që dorëzoi kandidaturën. Tha se LSDM-së i nevojitet bashkim dhe tejkalim të dallimeve brendapartiake, e u zotua se do të garantojë stabilitet te socialdemokratët.
“E pres mbështetjen e socialdemokrateve, kolegeve të mia dhe gjithsesi nga të gjithë anëtarët të cilët e dinë karakterin tim, konsistencën time në qëndrime. Pres gjithashtu në këtë periudhë LSDM ta shfrytëzoj për bashkim të vërtetë të anëtarësisë, konsolidimin e radhëve të partisë si dhe për uljen e dallimeve ndërmjet strukturave të caktuara në kuadër të partisë.”,- u shpreh kandidatja për kryetare të LSDM-së, Frosina Remenski.
Nën moton “Së bashku, përgjegjshëm dhe të përkushtuar”, kandidaturën e dorëzoi edhe zëvendësministri i financave, Dimitar Kovaçevski. Edhe ai u zotua se nëse zgjidhet në krye të partisë do të siguroj unitet brenda strukturave partiake.
“Një nga angazhimet e mia kryesore është ta kthejmë unitetin në parti, ta rikthejmë unitetin në shoqëri, që të mund të kemi edhe parti më të forta demokratike dhe të kemi shoqëri më të fortë. Më e rëndësishme për ne është ta kthejmë besimin se mundemi vetë të përparojmë shoqërinë tonë, duke pasur parasysh rrugën e qartë të shtetit tonë në integrimet evropiane.”,- deklaroi kandidati për kryetar të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Të pyetur rreth mendimit që kanë për kundërkandidatin, edhe Remenski edhe Kovaçevski thanë se kandidaturat vetëm konfirmojnë kapacitetin demokratik që ka LSDM. Afati për kandidim për të parin e partisë ka filluar më 27 nëntor dhe i njëjti do të zgjas shtatë ditë. Zgjedhjet për kryetar të ri , vijnë pas dorëheqjes së kryetarit aktual të LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale.
ERSAN PAJAZITI
