Maqedoni

“Alternativa” pjesë e qeverisë, Hiseni: Opozita po tregon mungesë strategjie.

01.12.2021 14:33

A është më mirë shumica aktuale të rritet edhe me katër deputetët e “Alternativës” apo të mbeten numrat aktualë 60/60...

A është më mirë shumica aktuale të rritet edhe me katër deputetët e “Alternativës” apo të mbeten numrat aktualë 60/60? Cila është strategjia afatgjate e opozitës së deridjeshme shqiptare, që tashmë po bëhet pjesë e qeverisë. Panelistët në “Argument” në TVM2 ishin të ndarë në qëndrime. 
 
“Nuk mund të pajtohem me zhvillimet e këtilla kur një subjekt politik  brenda një jave kalon nga njëri në krahun tjetër. Vendimi i Alternativës për të qenë pjesë e pushtetit pas debaklit në zgjedhjet lokale, dëshmon se megjithatë se në RMV, partitë politike, në veçanti këto shqiptare opozitare, nuk kanë strategji se si duhet të vijnë në pushtet.”,- tha publicisti, Blerim Hyseni.
 
Aliti: Mirë për vendin, kanë synime të qarta
 
“Nga kjo perspektivë nuk mund të themi se “Alternativa” po sillet shumë me pa seriozitet, sepse këto edhe pse kanë shprehur gatishmëri, po shoh se ata nuk po shiten aq lehtë dhe po shoh që e kanë rritur pazarin goxha, por megjithatë bëjnë mirë që e konsiderojnë opsionin të bëhen pjesë e shumicës, sepse duke shikuar nga aspekti shqiptar, unë mendoj se bëjnë mirë nëse gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të jenë pjesë e shumicës gjithmonë duke pasur parasysh trajektoren e shtetit.”,- u shpreh analisti, Faton Aliti.
 
Selmani: Pa një shumicë të sigurt, kriza do të thellohet
 
“Nëse shkohet nga numrat 60/60, kjo akoma më shumë e krijon një destabilitet edhe tek deputetët, sepse nuk dinë nga të mbajnë anën. Prandaj është një situatë e komplikuar, dhe nëse shkojmë që të bëjmë luftë pas numrave atëherë Maqedonia edhe më shumë dhe më thellë do të futet në krizë politike, ekonomike  dhe kështu me radhë.”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Panelistët ndajnë mendimin se nëse numrat në Kuvend mbesin 60/60, kjo akoma më shumë e krijon një destabilitet politik dhe devijon vendin jo vetëm nga lufta me pandeminë, krizën ekonomike e energjetike, por edhe nga synimi kryesor, ai i anëtarësimit në BE.


FITIM KRYEZIU