Maqedoni

Propozim-buxheti 2022, vazhdon debati për amendamentet e parashtruara

01.12.2021 15:20

Komisioni për Financa dhe Buxhet ka vazhduar me shqyrtimin e amendamenteve lidhur me Projekt-buxhetin për vitin 2022....

Komisioni për Financa dhe Buxhet ka vazhduar me shqyrtimin e amendamenteve lidhur me Projekt-buxhetin për vitin 2022. VMRO-DPMNE-së kërkoi themelimin e një fondi zhvillimor për përkrahjen e turizmit dhe hotelierisë. Sipas tyre, ky sektor ka nevojë të përkrahet për shkak të gjendjes me pandeminë dhe ka për qëllim mbështetjen e kapaciteteve hotelerike në vend.
 
“Kërkojmë 70 milionë denarë për themelimin e fondit të posaçëm zhvillimor për turizmin dhe hotelerinë. Nga ai fond do të përkraheshin kapacitetet hotelerike të cilat do të fitonin statusin e hoteleve të gjelbra për evidentimin dhe promovimin e objekteve fetare. Qëllimi është që t’i motivojmë dhe ta mbështesim zhvillimin ekologjik të kapaciteteve hotelerike.”,- deklaroi Lidija Petkoska nga VMRO-DPMNE.
 
Por, nga LSDM rikujtuan opozitën se gjatë periudhës 2017-2021 me masa të caktuara pushteti ka ndihmuar turizmin dhe hotelerinë.
 
“Projekte konkrete të cilat janë realizuar në gjithë vendin me investimin që është bërë falë shfrytëzimit të drejtë të fondeve evropiane. Projekti IPA për zhvillimin e turizmit rural përmes projektit për konkurrencë regjionale dhe lokale i cili ka dhënë fryte shumë në fushën e kapaciteteve turistike.”,- u shpreh Lolita Ristova nga LSDM.
 
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se amendamenti nuk pranohet duke pasur parasysh faktin se Ministria e Ekonomisë ka një program të tillë dhe se në Agjencinë për Promovimin e Turizmit janë të parashikuara mjete për turizmin. Pas shqyrtimit të amendamenteve, Projekt-buxheti do t'i kthehet Qeverisë ku duhet të përfshihen amendamentet e pranuara.
 
NAIM RAMADANI