Maqedoni

Hetimet për aksidentin tragjik, Komitova: Ka mundësi të ketë pasur rrjedhje nafte

01.12.2021 16:07

Ministrja për Zhvillim Rajonal në Bullgari, Violeta Komitova, në një intervistë dhënë për “TV Nova” të Bullgarisë....

Ministrja për Zhvillim Rajonal në Bullgari, Violeta Komitova, në një intervistë dhënë për “TV Nova” të Bullgarisë, shpalosi indicie tjera se ka mundësi që 300 metra para vendit të aksidentit të ketë rrjedhur naftë nga autobusi,  që mund të jetë shkaku kryesor për shpërthimin e zjarrit.
 
“Vendi ku ndodhet qarkorja për dalje nga rruga drejt fshatit Bosnek, ku më 23 nëntor ndodhi tragjedia me autobusin që humbën jetën 45 udhëtarë, nuk është autostradë apo rrugë e shpejtë, por rrugë e thjeshtë. Në 300 metra para vendngjarjes ka pasur derdhje të derivatit dhe tym.”,- tha ministrja për zhvillim rajonal në Bullgari, Violeta Komitova.
 
Hetuesia bullgare dhe ekspertizat e fundit do të duhet t’u përgjigjen pyetjes dhe dilemës kryesore se çfarë e ka shkaktuar zjarrin dhe pse u dogj aq shpejt autobusi në autostradë. 
 
Filipçe: Trupat e pajetë të premten arrijnë në Shkup
 
Në ndërkohë, autoritetet bullgare së bashku me ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë duke e përfunduar procesin e identifikimit të 45 trupave të aksidentuar në autostradën “Struma” të Bullgarisë. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se sa prej tyre janë të identifikuar, por autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë në vend janë duke pritur që procesi i metodave krahasimore gjenetike të marra nga strishot e familjarëve të përfundojnë gjatë mbrëmjes së ditës së mërkurë ose të enjten.
 
“Punohet më intensivisht për përfundimin e analizave të ADN-së, këtë po e punojnë kolegët nga Bullgaria, kolegët tanë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore janë n; komunikim për çdo ditë dhe kjo është diçka që pritet të përfundojë sot ose nesër, pas çka do të organizohet transporti i trupave.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Në ndërkohë, nga Spitali “Pirov” të Sofjes u lëshua në mjekim shtëpiak edhe pacienti i fundit i cili u lëndua në aksidentin tragjik më 23 nëntor, mjekët thonë se ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Ministria e Punëve të Jashtme bënë të ditur se kufomat e 45 trupave të pajetë do të mbërrijnë në mëngjesin e 3 dhjetorit në Aeroportin e Shkupit, ku po atë ditë do t’u dorëzohen familjarëve dhe priten të bëhen ceremonitë mortore. Asociacioni i bastoreve të RMV-së ndërkohë ndan 600 mijë denarë për familjarët e viktimave të aksidentit në Bullgari. 
 
REXHEP QAMILI