Maqedoni

Qeset e plastikës me pagesë, qytetarët: 15 denarë, barrë shtesë për xhepin tonë

01.12.2021 16:18

Pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon përdorimin e qeseve të zakonshme nga plastika...

Pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon përdorimin e qeseve të zakonshme nga plastika, nga kjo e mërkurë thuajse gjitha dyqanet në vend filloi përdorimi, respektivisht shitja e qeseve biodegraduese apo qeseve nga letra.  Por këtë ndryshim jo shumë qytetarë e mirëpritën. Të anketuar nga TVM2, ankohen për çmimin e lartë të cilin duhet ta paguajnë për një qese të vetme, kurse disa të tjerë u shprehën se do t’i përsiaten ligjit të ri.
 
“Shumë janë 15 denarë, pasi edhe pagat janë të vogla. Shumica e popullsisë janë me paga të ulëta ose shtesa sociale.”,- tha një qytetar.
 
“Shumë është kjo, katastrofë.”,- theksoi një qytetar.
 
“Ne duhet të përshtatemi, kështu ishte edhe më parë, çanta duhet të mbajmë.”,- u shpreh një qytetare.
 
“Unë mbaj çantë, por ka disa produkte që duhet të jenë në qese plastike.”,- potencoi një qytetare.
 
Nuredini: Qëllimi është ulja e përdorimit të tyre
 
Ministri i ekologjisë, Naser Nuredini, thotë se çmimi i qeseve prej 15 denarëve nuk ka për qëllim vetëm grumbullimin e mjeteve, por edhe uljen e përdorimit të qeseve të plastikës. Sipas tij, ky ndryshim është paralajmëruar që nga viti 2019.
 
“Ideja nuk është që të grumbullojmë ne mjete nga shitja e qeseve, por ideja është që të ulim përdorimin e plastikës në shtetin tonë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi ajo dëmton edhe shëndetin tonë. Plastika nuk degradohet në tokë, plastika ka mikro plastika të cilat dëmtojnë, ujin, tokën  nga ku ne ushqehemi.”,- deklaroi ministri i ekologjisë, Naser Nuredini.
 
Sa i përket çmimit për cilin ankohen edhe shumica e qytetarëve, Nuredini thotë se si Qeveri, propozimi ka qenë që një qese të kushtojë 10 denarë, deputetët kanë kërkuar që një qese të jetë 20 denarë dhe është ndërmarrë qëndrim i përbashkët që një qese të jetë 15 denarë. Nga 1 dhjetori Inspektorët e tregut do të kontrollojnë nëse qeset që shiten janë të  biodegradueshme. Për çdo për mosrespektim të ligjit dënimet janë nga 1 mijë deri në 20 mijë euro, varësisht lloji i biznesit i cili ka bërë shkeljen.
 
ZEKIRJA MEXHITI