Botë
Putini mban fjalimin vjetor
18.12.2014 16:01
Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi se Rusia ka dështuar në diversifikimin e ekonomisë së saj...

Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi se Rusia ka dështuar në diversifikimin e ekonomisë së saj, të goditur rëndë nga ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe sanksionet e vendosura nga Perëndimi për shkak të krizës ukrainase.
Por, shefi i Kremlinit është optimist për stabilizimin e rublës në tregun monetar pas rënies së vlerës së saj kohëve të fundit, megjithëse tregoi qartë në konferencën e tij vjetore se kriza ekonomike mund të zgjasë deri në dy vjet.
“Kjo rënie e madhe e rublës i detyrohet faktorëve të jashtëm, edhe pse e vërteta është se Banka Qendrore mund të kishte ndërhyrë më shpejt. Megjithatë, rezervat e monedhës kombëtare janë të mjaftueshme për ta mbajtur ekonominë të stabilizuar. Ju siguroj se ajo ka për të dalë nga kjo situatë. Sa do të zgjasë gjendja ku ndodhemi sot? Në rastin më të keq them se rreth dy vjet. Por, pas kësaj, rritja është e pashmangshme për shkak të ndryshimit të situatës ekonomike globale në tërësi, e cila do të shtojë kërkesën për burime energjie”- deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Rusët e kanë ndjekur me shumë vëmendje atë çfarë presidenti i tyre kishte për t’iu thënë në lidhje me ekonominë. Vendi mbetet në buzë të recesionit.
Në fillim të javës pati raporte se njerëzit po vërshonin nëpër dyqane për të shpenzuar para përpara se çmimet të rriteshin sërish, duke kujtuar epokën sovjetike.
Pjesa më e madhe kanë blerë makina e pajisje elektroshtëpiake.
Presidenti amerikan, Barack Obama, pritet të firmos këtë javë legjislacionin që autorizon një valë sanksionesh të reja ekonomike ndaj Moskës dhe të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe liderët e Bashkimit Evropian, të cilët ka shumë gjasa që të ndalojnë investimet në Krime dhe eksplorimin për naftë e gaz në Detin e Zi.
ERSAN PAJAZITI
