Maqedoni
Stimulimi për vaksinimin masiv, mjekët amë: Të rritet vetëdija, jo pagesa për ne
01.12.2021 17:00
Masat e reja për stimulim me nga 30 denarë për mjekun amë për çdo pacient që vaksinohet nuk janë të nevojshme...

Masat e reja për stimulim me nga 30 denarë për mjekun amë për çdo pacient që vaksinohet nuk janë të nevojshme, sepse mjekët amë nuk mund të nxisin njerëzit të vaksinohen, por nevojiten fushata sensibilizuese për rritjen e vetëdijes. Një masë e tillë, sipas mjekëve, është nënçmim edhe për qytetarët edhe për mjekët familjarë, aq më tepër në një kohë kur shfaqen mutacione të reja të virusit Korona dhe vaksina nuk është e sigurt nëse reagon ndaj çdo mutacioni, thonë mjekët.
“Ky ligj është stimulim për pacientët jo për mjekët. Mjekët nuk kanë mundësi të realizojnë te 70% e pacientëve sepse mjekët kanë pacientë të grupmoshave të ndryshme, sidomos fëmijë dhe nuk do të këtë mundësi asnjë mjek ta arrijë këtë përqindje. Ajo mund të jetë stimulim për pacientët që të vaksinohen. Këto masa nuk i ndihmojnë askujt, për mua janë populizëm. Duhet të gjenden metoda të ndryshme që pacientët të vetëdijesohen. Duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes.”,- tha mjeku familjar, Sedat Lumani.
Mjekët thonë se prej fillimit të pandemisë janë të destimuluar, ata përballen me shtypje në punë dhe orar të mbingarkuar dhe assesi nuk kanë masa stimulative.
“Mendoj se janë tepër nënçmuese këto masa për ne si mjek amë, për arsye se nuk do të sjellin asgjë pozitive për imunizimin e popullatës. Numri i pacientëve të cilët deri tani nuk janë vaksinuar shkaku i skepticizmit të tyre, me këto masa do ta shtojnë më shumë dyshimin te pacientët të cilët edhe ashtu nuk kanë besim në vaksinat.”,- deklaroi mjeku familjar, Orhan Islami.
Pagesat e mjeteve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të bëheshin verën e ardhshme. Por, deri atëherë, duhet të shihet se si do të arrijnë mjekët amë të bindin ata që janë kundër vaksinimit, se ky proces është në të mirë të të gjithëve, pa i lënë dyshime pacientëve se këtë bindje e bëjnë, jo për të marrë nga 30 denarë nga secili prej atyre që vaksinohet, por sepse është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund pandemisë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
