Përfundoi identifikimi i 45 kufomave, nesër trupat e pajetë sillen në Shkup

02.12.2021 15:13

Trupat e 45 viktimave të aksidentit të autobusit në Bullgari....

Trupat e 45 viktimave të aksidentit të autobusit në Bullgari janë identifikuar dhe pritet që nesër të transportohen në Shkup. Zëvendës-prokurori i përgjithshëm dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Hetimit në Bullgari, Borisllav Sarafov, konfirmoi se procesi i identifikimit është përfunduar dhe të premten trupat e viktimave do të transportohen me avionë drejt Shkupit.

Në procesin shumëditor të identifikimit, duke përdorur metodën e ADN-së, morën pjesë specialistë dhe profesorë të Mjekësisë Ligjore nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Mes 45 të vdekurve janë 12 fëmijë. Kufomat do të sillen me dy aeroplanë transportues ushtarakë mëngjesin e nesërm, deklaroi sot ambasadori bullgar në vend, Angell Angellov.

“Pala bullgare do të sigurojë dy aeroplanë transportues ushtarakë, me të cilët nesër në mëngjes do të transportohen eshtrat e viktimave në fatkeqësinë e komunikacionit.”,- deklaroi ambasadori, Angell Angellov.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme po ashtu paralajmëruan se nesër paradite, në Aeroportin e Shkupit do të arrijnë eshtrat e viktimave në fatkeqësinë e komunikacionit në Republikën e Bullgarisë. .

Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 23.11.2021 në autostradën “Struma” në jugperëndim të Bullgarisë. Autobusi me 52 pasagjerë ishte nisur nga Stambolli dhe po kthehej në Shkup.

45 viktimat dhe 7 personat e mbijetuar kishin qenë për një vizitë treditore në Stamboll dhe po ktheheshin në Shkup. (Sanije Duraku, TVM2)