MSHIA: Pjesa më e madhe e buxhetit, për subvencione

02.12.2021 15:21

Buxheti i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës....

Buxheti i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për vitin 2022 parashikohet të jetë 1.35 miliard denarë. Pjesa më e madhe e buxhetit, apo 900 milion denarë, do të shkojnë për subvencione të ndërmarrjeve publike, shumica e të cilave do të dedikohen financimit të servisit publik.

“Pjesa e parë dhe me vlerë më të lartë të këtyre mjeteve, përkatësisht 900 milion denarë, ndahen për financimin e RTVM-së, Radio-Difuzionit Nacional dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele. Në këtë mënyrë qytetarët janë të liruar nga shpenzimet, ndërsa nga ana tjetër këto institucione marrin mjete të rregullta dhe të parashikuara me çka mundosojmë autonominë dhe pavarësinë e tyre.”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Jeton Shaqiri.

Mbi 15 milion do të ndahen për buxhetin e Marnetit. Në rrjetin e Marnetit do të ndërlidhen institucionet arsimore, në të cilin qytetarët do të mund të përfitojnë nga shërbimet e këtij rrjeti. Mjete do të ndahen edhe për digjitalizimin e shërbimeve.

“Dokument-menaxhment-sistemi, i cili më është shtrirë në 20 institucione, kryesisht në pushtetin qendror ekzekutiv, nisur nga 1 janari do të vazhdojë të xhirohet dhe të përfshijë rreth 300 institucione tjera dhe këto janë të gjitha organet e administratës shtetërore, në njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe planet me komunat. Me këtë do të vijë fundi i letrës së printuar dhe komunikimi ndërinstitucional do të bëhet në mënyrë elektronike.”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Jeton Shaqiri.

Shaqiri gjithashtu tha se do të investohet në transparencën e institucioneve përmes ueb-faqeve në të cilat qytetarët do të mund të shohin gjithçka që iu intereson. (Ersan Pajaziti, TVM2)