Kriza politike, të premten takim Zaev–Gashi, Alternativa: ASh mbetet partner politik i yni
Bisedimet për zgjerimin e shumicës parlamentare....

Bisedimet për zgjerimin e shumicës parlamentare hyjnë në një fazë të re. Nesër pritet të mbahet edhe një takim midis kryeministrit, Zoran Zaev, dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, pasi partitë janë duke zhvilluar konsultimet brenda partiake. Jozyrtarisht Alternativa kërkon dy poste, një të zëvendëskryeministrit dhe të Ministrinë e Shëndetësisë.
Ndërkohë, nga Alternativa iu janë kundërpërgjigjur edhe reagimit të Aleancës për Shqiptarët, e cila ka akuzuar Alternativën se po shkelë marrëveshjen për koalicionim parazgjedhor, e cila, siç thonë nga partia e Selës, është e vlefshme deri në fund të mandatit parlamentar. Nga Alternativa thonë se Aleanca për Shqiptarët mbetet partner dhe bashkëpunues politik.
“Pasi që tashmë i kemi kaluar dy cikle zgjedhore në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, faktikisht është konsumuar marrëveshja jonë për bashkëpunim. Megjithatë, mbetet e hapur mundësia që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato.”,- thuhet në njoftimin e Alternativës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, VMRO dhe LSDM me qëndrime të kundërta
Ndërkohë nga VMRO–DPMNE kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi, sipas tyre, qeveria ka zhytur shtetin në krizë politike dhe energjetike.
“Nevojiten zgjedhje sa më shpejt, pasi që kjo është zgjidhja e vetme për dalje nga kriza në të cilën gjendet Maqedonia, krizë të cilën e imponoi LSDM me qeverisjen e tyre kriminale dhe ngecjen dhe shpirjen mbrapa të shtetit, andaj zgjedhjet e parakohshme janë dalja e vetme nga kriza.”,- tha zëdhënësi i VMRO–DPMNE–së, Dimçe Arsovski.
Janë kundërpërgjigjur nga LSDM të cilët thonë se vendit nuk I nevojiten zgjedhje të parakohshme, por një qeveri stabile e cila do të përfundojë proceset e nisura. (Meral Ismaili, TVM2)
