Maqedoni

Ahmeti: BDI është asht i fortë, ju ngec në fyt

18.12.2014 16:46

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në Kuvendin Zgjedhor të Degës Partiake në Gostivar ka qenë tepër i prerë...

BDI-ja nuk do të shuhet pavarësisht se këtë e dëshirojnë kundërshtarët politik. 13 vite përpiqen të shkatërrojnë BDI-në, por nuk munden, sepse BDI u formua në një kohë historike, tha Ahmeti.
 
“Bashkimi Demokratik për Integrim luftohet nga të gjitha anët. Këtë nuk e them që ju të jeni më të mobilizuar dhe këtë nuk e them që të çojmë porosi tek të gjithë kundërshtarët tanë politik. Por, mos të harrojmë se kemi edhe armiq politik, për dikë jemi pengesë e ekzistencës dhe mbijetesës së BDI-së. Për trembëdhjetë vite radhazi nuk kanë heshtur as heshtas dhe e kanë venduar në lëvizje çdo mekanizëm për të shuar Bashkimin Demokratik për Integrim… Nuk mund ta bëjnë sepse ne kemi lindur në një situatë historike dhe ajo pjesë e historisë, që është nëna jonë, ne na ka bërë të pavdekshëm dhe nuk vdesim kurrë, pavarësisht tendencave, organizimeve”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti, dha porosi te të gjithë ata që e luftojnë BDI-në, të mos vazhdojnë ta bëjnë, sepse, sipas tij, BDI është asht që të mbetet në fyt.
 
“Po ju them edhe një herë, pavarësisht sa na luftojnë, sa punojnë të tjerët, ne qerpiku s'na dridhet, sepse jemi në punën tonë, jemi në hakun tonë, por ama le të garojnë burrërisht edhe me komunitet tjera, të mos punojnë e veprojnë si hienat, duke bërë gracka e gjëra të pahijshme, sepse BDI-ja është, le ta dëgjojnë të gjithë, asht i fortë dhe i mbetet gjithkujt në fyt që mendon që ta gëlltisë”- u shpreh Ahmeti.
 
E ardhmja e shqiptarëve, garancia e vetme për paqe, stabilitet, siguri dhe përparim kombëtar është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ka ripërsëritur Ahmeti në Kuvendin Zgjedhor në Gostivar, në të cilin kryetar dege u zgjodh Nevzat Bejta.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU