Komisioni për Financa dhe Buxhet: Opozita kërkon para për një deponi në Shkup
Deputetët në Komisionin për Financa dhe Buxhet....

Deputetët në Komisionin për Financa dhe Buxhet po shqyrtojnë amendamentet e parashtruara nga opozita për propozim buxhetin e vitit të ardhshëm. Në ditën e fundit të debatit mbi amendamentet deputetët midis tjerash kanë diskutuar mbi kërkesën e opozitës për ndërtimin e një deponie të re rajonale në qytetin e Shkupit e për çka kërkuan të sigurohen 400 milion denarë.
Sipas tyre, ndërtimi i një deponie të re në Shkup është i domosdoshëm për të ulur ndotjen në këtë qytet.
“Menaxhimi jo i mirë gjatë katër viteve të kaluara me deponinë e qytetit “Drisla”, ka kontribuar që ndotja e ajrit në qytet të jetë edhe më i madh. Thelbësore është nevoja që të sigurojmë mjete për këto gjëra.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Por sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, nuk ka nevojë të ndërtohet një deponi e tillë, sepse ka plane dhe programe specifike për menaxhimin e duhur të mbeturinave.
“Sipas informacioneve nga ministria përkatëse, duke qenë se politika për menaxhimin rajonal të mbeturinave tashmë është duke u zbatuar, nuk ka nevojë të ndërtohet e njëjta në qytetin e Shkupit. Nisur nga kjo, ky amendament nuk pranohet.”,- theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.
Pas debatit të përgjithshëm dhe shqyrtimit të amendamenteve, propozim buxheti do t’i dërgohet Qeverisë për të inkorporuar ndryshimet dhe më pas kthehet në seancë plenare për miratim. (Naim Ramadani, TVM2)
