Pendarovski: Politika të rrijë larg armatës

02.12.2021 19:09

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski....

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se politika duhet të jetë larg armatës. Ai këtë e theksoi në ceremoninë solemne për promovimin e oficerëve të rinj – nëntogerë nga klasa e 21 dhe betimi i klasës së 25-të të kadetëve të Akademisë ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski”.

“Ajo që është shumë me rëndësi dhe që duhet të gjithë së bashku ta bëjmë, çdo ditë, gjatë gjithë jetës së punës është që ta mbajmë politikën sa më larg që mundet nga armata. Ju duhet t’i shërbeni shtetit, pavarësisht garniturës politike në pushtet dhe pavarësisht bindjeve tuaja personale dhe politike. Për shkak se ky është fondamenti i çdo armate profesionale, politika duhet të jetë jashtë ushtrisë”, tha Pendarovski.

Ai theksoi se kjo është një ditë e madhe për të gjithë ata që janë promovuar në nëntogerë, derisa potencoi se grada oficer do të thotë nder, dinjitet dhe përgjegjësi ndaj Armatës dhe ndaj Atdheut.

Në solemnitet morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurqinovski dhe të ftuar të tjerë eminentë nga Ministria dhe Armata.