Maqedoni
Ura e “Bit Pazarit” po rirenovohet tërësisht
18.12.2014 16:49
Ura në “Bit Pazar” dhe trotuaret anësore janë rrënuar tërësisht, pasi që do të rindërtohen nga e para...

Riparimi i tyre i pjesshëm, që u bë pak kohë më parë, rezultoi i pasuksesshëm, pasi asfalti që u vu në disa pjesë të urës, u shkatërrua pothuajse menjëherë, duke lënë të hapura gropat e mëdha.
Qytetarët ankohen se punimet në këtë urë janë bërë sa për të kaluar radhën dhe ura sapo u riparua, u prish edhe më keq.
“Nuk e bëjnë mirë, nuk është bërë kualitet, le ta rregullojnë një herë e përgjithmonë si duhet”- tha një qytetar.
“Kjo nuk më pengon vetëm mua, por i pengon të gjithë qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit, të cilët jetojnë kësaj ane të Shkupit, që sipas meje janë lënë në harresë”- u shpreh një qytetar.
“Katastrofë, larg qoftë t’iu ikën fëmijët e vegjën nga dora, do të lëndohet shumë”- theksoi një qytetar.
“Nuk e rregullojnë si duhet, shpeshherë frikësohemi që pleqtë të mos shkelen nga makinat në rrugë, sepse nuk kanë ku të kalojnë urën”- potencoi një qytetar.
Ata tani shpresojnë që ura të riparohet si duhet e të mos ketë nevojë pas disa muajsh që edhe një herë të kryhen punime në të.
“Edhe tani kur do të rregullohet gjoja ura, pas një kohe përsëri do të shfaqen ato gropa mbi trotuaret e urës dhe do të ketë poshtë hapësira të mëdha. Kjo urë duhet të rregullohet një herë e përgjithmonë mirë, që të mund të qëndrojë vite me radhë”- tha një qytetar.
“Si ta rregullojnë le ta rregullojnë mirë, se përndryshe njeriu bëhet copa-copa në këtë urë”- theksoi një qytetar.
Ura u riparuar para disa muajve, por cilësia e punimeve në të rezultoi tepër e dobët dhe për pak kohë kjo urë u bë më keq se sa ishte para se të riparohej asfalti i saj.
Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit kanë konstatuar tashmë se firma që bëri punimet e para në urë nuk i ka plotësuar standardet dhe cilësinë e kërkuar dhe punimet e bëra nuk i qëndruan aspak muajve të parë të riparimit.
Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit kanë startuar edhe një herë me izolimin e gropave të urës në “Bit Pazar”, e më pas do të bëhet asfaltimi i tërësishëm i saj, por kësaj radhe premtojnë se punimet do të jenë cilësore dhe do t’i rezistojnë kohës.
REXHEP QAMILI
