Maqedoni

Ivanov, iu drejtua kuvendit në sallën gjysmëboshe

18.12.2014 17:11

Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, për herë të dytë po përballet me bojkotin nga deputetët...

Ashtu si në seancën e inaugurimit edhe në fjalimin e fundvitit, Ivanov iu drejtua sallës gjysmë të zbrazët pa deputetët e BDI-së, të cilët bojkotojnë presidentin dhe pa opozitën maqedonase, e cila bojkoton punën e kuvendit. 
 
Bojkoti madje është edhe shqetësimi kryesor i presidentit, i cili që në fillim dënoi qëndrimet e partive për të bojkotuar institucionin e presidentit.
 
“Votimi në zgjedhje është e drejtë kushtetuese e qytetarëve, por përfaqësimi i tyre në kuvend është obligim kushtetues i deputetëve të zgjedhur. Dua të përmend se si president, para shtatë muajve i ftova liderët politik, përfshirë edhe z. Zaevin edhe z. Ahmetin, që të bisedojmë për interesat e shtetit. Ata ende nuk i janë përgjigjur ftesës sime, e cila mbetet e hapur”- deklaroi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
 
Qëndrimi i BDI-së ndaj presidentit Ivanov është konzistent, thonë nga partia e Ahmetit. 
 
“Mosprezenca jonë në sallën e kuvendit flet zëshëm dhe reflekton vullnetin e komunitetit të dytë shumicë në Maqedoni, shqiptarëve ndaj legjitimitetit të z. Ivanovit. Ndërsa adresimi i tij i sotëm para një audience monopartiake në sallën e kuvendit, gjithashtu flet shumë zëshëm rreth arsyeshmërisë së veprimit tonë në zgjedhjet presidenciale”- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Ndërkaq, partneri i koalicionit qeveritar e ka cilësuar si jokorrekte sjelljen e BDI-së. Sipas VMRO-DPMNE-së, Ivanov është burrshteti dhe president i të gjithë qytetarëve.   
 
“Sjellja e BDI-së si parti politike edhe në kohën e zgjedhjeve presidenciale, për fat të keq edhe tani, gjatë paraqitjes së presidentit Ivanov, nuk ishte korrekte, por kjo është çështje e vlerësimit të tyre se si do të veprojnë tani dhe në të ardhmen. Për ne është me rëndësi që presidenti Ivanov e tejkalon pragun e rivalitetit politik dhe paraqitet si burshtetas i vërtetë dhe vepron si president i të gjithë qytetarëve të RM-së”- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Ndryshe, presidenti Ivanov në fjalimin e fundvitit u përqendrua në mungesën e dialogut politik, marrëdhëniet ndëretnike, zhvillimin ekonomik dhe procesin eurointegrues.
 
Ivanov, akuzoi aktorët politik, të cilët, sipas tij, manipulojnë me marrëdhëniet ndëretnike për nevoja politike.
 
Nuk u kursyen as ndërkombëtarët për neglizhencën ndaj zgjidhjes së kontestit rreth emrit, i cili ka bllokuar integrimin në NATO dhe BE.
 
SHPËTIM NUREDINI