Tragjedia në Bullgari, në mesditë mbërritën kufomat e viktimave

03.12.2021 15:04

Me nderimet më të larta shtetërore...

Me nderimet më të larta shtetërore, në aeroportin ndërkombëtarë të Shkupit u pritën 45 kufomat e aksidentit tragjik në Bullgari. Trupat u sollën me dy avionë bullgarë në mesditë dy orë me vonesë si pasojë e motit të keq.

Pjesë e familjarëve të shokuar dhe me lot shikonin ushtarët se si po nxirnin nga avionët arkivolët e të afërve të tyre të cilët i kishin përcjellur të hareshëm drejt Turqisë e për ti pritur me një ceremoni mortore.

Kufomat veçmas u transferuan nëpër automjete të caktuara dhe iu dorëzuan familjarëve.

Homazhe me kurora lulesh para viktimave bënë kreu më i lartë i shtetit presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev, kryeparlamentari Talat Xhaferi, ministra qeveritarë, dhe kreu i BDI – së Ali Ahmeti.

Viktimat për herë të fundit u nderuan nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarja e parlamentit të shtetit shqiptarë Lindita Nikolla si dhe ambasadori i Bullgarisë, vendi fqinj ku ndodhi aksidenti tragjik me 45 viktima, në mesin e tyre 12 fëmijë.

Edhe përfaqësues të bashkësisë fetare islame nderuan viktimat e tragjedisë së 23 nëntorit në Autostradën Struma në Bullgari. Lutjet e të pranishmëve për viktimat nuk munguan në asnjë moment edhe pse në një atmosferë të zymtë dhe plot dhimbje.

Kufomat u dorëzuan familjeve që tu japin lamtumirën e fundit të afërmve të tyre, të cilët në një vikend të zgjatur u nisën drejt Stambollit, për mos t’u kthyer më në gjirin e më të afërmve të tyre. (Meral Ismaili, TVM2)