Bisedimet për shumicën, anulohet takimi Zaev-Gashi

03.12.2021 16:18

Takimi i paralajmëruar mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kreut të Alternativës, Afrim Gashi....

Takimi i paralajmëruar mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kreut të Alternativës, Afrim Gashi u anulua, për shkak të ceremonisë së transportimit të trupave të viktimave nga tragjedia në Bullgari.

Gjithsesi fundi i kësaj jave duhet të sjell një epilog konkret nga negociatat e deritanishme.

Për të njëjtën arsye është shtyrë edhe mbledhja e Këshillit Qendror të Alternativës, në të cilën duhej të vendoset nëse Alternativa do të jetë ose jo pjesë e Qeverisë. “Mbledhja e Këshillit Qendror të Alternativës do të mbahet të shtunën në ora 18:00 në selinë e partisë në Tetovë”, njoftoi zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.

Gashi ka diskutuar pozitën e Alternativës me organet e partisë ndërsa Zaev i ka diskutuar me partnerët e koalicionit kërkesat e deritanishme të Alternativës. Jozyrtarisht mësohet se Alternativa kërkon një post ministror dhe një pozitë zëvendëskryeministri so dhe disa drejtori. 

Mickovski: Zgjedhje të parakohëshme do të ketë

Mirëpo, përderisa Zaev përpiqet të zgjerojë shumicën, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, thotë se do të vazhdojë me përpjekjet për zgjedhje të parakohëshme parlamentare.

“Ajo që do të bëjmë si opozitë është të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare, të shpejta. Do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike që kjo të ndodh. Dihet se si caktohen zgjedhje të parakohëshme parlamentare, me 61 deputetë në Kuvend. Mendoj se kjo do të ndodh dhe duhet të ndodh pasi ka shumë arsye që të ndodh.” – tha Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Vendimi i Lëvizjes Besa që të kalojë në opozitë rrezikoi shumicën edhe ashtu të brishtë në Kuvend.

Gjatë kësaj periudhe Kuvendi s’ka hapur asnjë seancë të re, madje nuk u mbajt as seanaca e regullt për pyetje deputetësh. Seanca e re e rradhës është caktuar për më datën nëntë dhjetor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)