Ekonomi
"Top 100 kompanitë më të suksesshme shqiptare në Maqedoni"
18.12.2014 17:23
“Dauti Komerc”, “Alma-M”, “Euro Media” dhe “Euro Aktiva” kanë marrë tre vendet e para si kompani më të mira shqiptare...

“Dauti Komerc”, “Alma-M”, “Euro Media” dhe “Euro Aktiva” kanë marrë tre vendet e para si kompani më të mira shqiptare, ndërsa kompania “Nabizi”, ka marrë çmimin për rritje më të shpejtë në tre vitet e fundit.
Kjo përzgjedhje u bë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, e ndihmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe nga të dhënat zyrtare të Regjistrit Qendror, me rastin e zgjedhjes së top 100 kompanive shqiptare.
Kryetari i OEMVP-së, Menderez Kuçi, i ka konsideruar të gjithë kompanitë shqiptare pjesëmarrëse si heronj, sepse zhvillimi i biznesit të tyre do të thotë zhvillim i vendit tonë.
“Sot para nesh i kemi ata me të cilët ne mburremi, ata prej të cilëve pritet zhvillimi i një vendi, duke mos e lënë veten në inferioritet. Sigurisht ne jemi modest dhe nuk mburremi, por ja kemi vënë si detyrë vetes që të çojmë para zhvillimin tonë, se prej nesh do të varet ky zhvillim. I inkurajoj edhe të tjerët, që nuk janë pjesë e sistemit tonë, që të bëhen pjesë e asaj që quhet bashkësi e biznesit, pa dallim ngjyre, konfesioni dhe pa dallim numri, i madh apo i vogël, sepse OEMVP-ja kështu reflekton”- deklaroi Menderez Kuçi nga OEMVP.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, deklaroi se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, përpiqen dhe japin maksimumin për të siguruar një klimë miqësore biznesi dhe një legjislacion që mundëson funksionimin e shpejtë dhe të lehtë të biznesit.
“Unë jam i kënaqur që qarkullimi nga 100 kompanitë më të suksesshme shqiptare në Maqedoni gjatë vitit të kaluar ishte 524 milion euro, me çka ata marrin pjesë me 3% në qarkullimin e përgjithshëm në vend, që është 17 miliard e 340 milion euro. Ndërkohë, numri i të punësuarve në këto kompani është 5600 dhe është dëshmia më e mirë për rritjen dhe zhvillimin e këtyre kompanive dhe me këtë edhe të vendimeve të drejta që kanë ndërmarrë menaxherët e tyre”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Përfaqësuesit e kompanive fituese, u shprehën se ndjehen ende më të motivuar që të vazhdojnë me përpikmëri punën e tyre dhe për të arritur rezultate edhe më të mëdha në zhvillimin e ekonomisë në vend.
“Mesi i 2012 dhe 2013, ne formuam një këshill profesional në kompani, që të analizojmë çdo segment të funksionimit dhe çdo sfidë që tregu do ta kërkojë, të mund t’i përgjigjemi dhe ajo ishte si rezultat i gjithë kësaj pune, normal falë edhe ambientit të biznesit krijohet dita me ditë nga masa edhe të politikbërësve edhe të ambientit të ngritjes së ekonomisë, që ka ambient të sigurt dhe të suksesshëm të bizneseve”- theksoi Xhemail Dauti nga “Dauti Komerc”.
“Përgatitja profesionale e stafit, besimi dhe sinqeriteti ndaj klientit dhe më kryesore është respektimi ndaj partnerëve tanë, këto janë shtyllat kryesore për ecjen e biznesit”- potencoi Kamber Bizati nga kompania “Nabizi”.
Top 100-en e kompanive më të mira, OEMVP-ja e ka bërë në partneritet me “Prokredit Bankën” dhe në bazë të tre kriteriumeve.
Kriteriumi i parë ishte që kompanitë të kenë 25 milion denarë qarkullim, kriteriumi i dytë 1 milion denarë neto fitim në vit dhe kriteriumi i tretë ishte numri i të punësuarve, respektivisht kompani me mbi 10 të punësuar.
MEFAIL ISMAILI
