Maqedoni
Analistët: nga samiti në samit, Maqedonisë po i rriten detyrat
18.12.2014 18:03
Konkluzionet e miratuara nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për Maqedoninë, që pritet të publikohen më 19 dhe 20 dhjetor...

Konkluzionet e miratuara nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së për Maqedoninë, që pritet të publikohen më 19 dhe 20 dhjetor, nuk përbëjnë ndonjë befasi, por ato janë një refleksion i raport-progresit të fundit për Maqedoninë.
Kështu vlerëson eksperti juridik, Naser Zyberi, duke shtuar se vendit nga samiti në samit po i shtohen detyrat e shtëpisë.
“Fatkeqësisht, Maqedonisë nga samiti në samit i shtohen detyrat e shtëpisë dhe nga një problem që ishte kontesti me emrin, tani del edhe politika e fqinjësisë së mirë. Maqedonia fatkeqësisht jo që s’po bën hap përpara në këtë drejtim, por po shkon mbrapa. Tani problem serioz na paraqitet edhe fqinji lindor, Bullgaria, e cila përveç që ka kushtëzuar Maqedoninë me zbatimin e asaj marrëveshje të fqinjësisë së mirë të nënshkruar në vitin 2000 me Bullgarinë, tani edhe këto tendencat e fundit rreth ndryshimeve të simboleve mund të jenë edhe një nga pikat kontestuese, të cilat Bullgaria mund t’i radhitë në listën e problemeve që ka me RM-në”- deklaroi eksperti juridik, Naser Zyberi.
Për profesorin universitar, Nano Ruzhin, konkluzionet e Këshillit të BE-së janë më të disfavorshmet që ka marrë vendi ndonjëherë, ndërsa shqetësues vlerëson faktin ku thuhet se këshilli do t’i rikthehet Maqedonisë vitin e ardhshëm, por vetëm nëse do të ketë përparim në sferat e apostrofuara.
“Për fat të keq, në 6 vitet e fundit këto konkluza janë më të këqijat për Maqedoninë. Një pjesë i dedikohet fqinjësisë së mirë, që ka të bëjë me çështjen e emrit, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me sistemin politik dhe demokracinë. Ajo që i bën si konkluzat më të këqija, sipas mendimit tim është se Këshilli i BE-së ka marrë qëndrim se deri në vitin 2015 nuk do t’i kthehet dosjes së Maqedonisë vetëm nëse ka ndonjë përmirësim në fushën e fqinjësisë së mirë, përfshi edhe emrin apo në raport me dialogun paraqasës që po e zhvillon vendi me BE-në”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
Krahas raporteve ndërfqinjësore dhe problemit kyç me emrin, Zyberi dhe Ruzhin vlerësojnë se brengosëse mbetet edhe politika e brendshme e vendit.
Sipas tyre, vërejtjet që kanë të bëjnë pavarësinë e gjyqësorit, depolitizimin e administratës, situatën me mediat, dialogu politik dhe dinamika e realizimit të MO-së janë qenësore, pa të cilat vendi nuk mund të shpresojë në raport dhe konkluza më të favorshme.
NAIM RAMADANI
