Maqedoni

Zgjerimi i shumicës parlamentare, Alternativa merr vendimin final

04.12.2021 16:27

Partia politike Alternativa sonte vendos nëse do të bëhet pjesë e Qeverisë aktuale ose do të mbetet në opozitë...

Vendimin përfundimtar do ta merr Këshilli Qendror i Partisë, në mbledhjen që mban në Selinë në Tetovë. Pritet një vendim pozitiv, pasi në kumtesën e përbashkët të takimit të fundit mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kreut të Alternativës Afrim Gashi, të datës një dhjetor, u njoftua se është konstatuar progres evident në harmonizimin e qëndrimeve rreth plotësimit të pjesës përmbajtjesore të programit të Qeverisë, kurse janë këmbyer ide dhe vlerësime nga të dyja palët për ndarjen e përgjegjësive në nivelin më të lartë në institucionet e pushtetit qendror.
 
ASh: Pjesëmarrja, në kundërshtim me verdiktin  
 
Aleanca për Shqiptarët konsideron se Alternativa, si partnere koalicioni në opozitë, po shkel Marrëveshjen për bashkëpunim, sipas së cilës bashkëpunimi duhej të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 
 
“Ju urojmë suksese në rrugëtimin Tuaj, për ne të gabueshëm dhe në kundërshtim të plotë me verdiktin të shprehur me votë nga ana e qytetarëve që votuan koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.” – u deklaruan nga ASh. 
 
Mickovski: Alternativa, para një sfide të madhe
 
“Alternativa ndodhet para një sfide të madhe.” – thotë kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i cili vetëm para pak javësh kishte në krah Alternativën për të rrëzuar këtë qeveri. 
 
Konsideron se zgjedhjet e parakohëshme janë të paevitueshme.
 
“Unë kam komentuar se para çfarë sfide po ndodhet kryesia e Alternativës. Të jetë pjesë e qeverisë më kriminale, më të korruptuar dhe më të paaftë në këto 30 vjet ose të mbetet opozitë dhe të kemi zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Vendimi është mes këtyre opsioneve, opsion të tretë nuk ka”, u shpreh Mickovski 
 
LSDM: Mickovski ka ngec në matricën e regjimit 
 
Mirëpo LSDM, konsideron se Mickovski ka ngecur në matricën e partisë dhe qeverisjes së shkuar të VMRO DPMNE-së dhe dëshiron të kthej pas shtetin.
 
“Hristijan Mickovski ka ngec në matricën e regjimit, e cila do që shtetin ta kthejë në izolim, përçarje dhe të papritura; të kacafytur me fqinjët dhe me botën demokratike. Askush nuk pret ndryshe nga ai, i cili s’di dhe s’do të punojë për interesat e qytetarëve.”- thuhet në kumtesën e LSDM-së. 
 
SHPËTIM  NUREDINI