Maqedoni
Banorët e Lubotenit penguan policinë të futet në fshat
18.12.2014 18:05
Policia sot ka marrë në pyetje dy banorë të fshatit Luboten të Shkupit, pasi në mënyrë ilegale kanë transportuar në Tetovë...

Policia sot ka marrë në pyetje dy banorë të fshatit Luboten të Shkupit, pasi në mënyrë ilegale kanë transportuar në Tetovë me veturën e tyre duhan të përpunuar, ose thënë ndryshe kaçak.
Pas konstatimit policor se duhani i transportuar ka qenë i pakontraktuar, ata kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe kanë konfiskuar vetëm duhanin e grirë.
“Një bashkëfshatar i joni ishte i kapur diku në Tetovë me duhan. Edhe pse fshatarët e Lubotenit 90% merren me bujqësi dhe për këtë kanë probleme me duhanblerësit, sepse ata nuk dëshirojnë të blejnë duhanin tonë, sepse gjethi është më i madh dhe për këtë arsye ata s’dëshirojnë ta marrin. Qytetarët janë të detyruar të punojnë duhan, që të sigurojnë kafshatën e bukës për familjet e tyre”- deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale, Naim Saliu.
Megjithatë, nga frika e prezencës së madhe policore dhe frika se policia do të bastisë edhe shtëpitë e tjera për të konfiskuar edhe duhanin e tyre, banorët e fshatit Luboten kanë bllokuar hyrjen e fshatit.
“Ne e kuptojmë nëse e kanë kapë bashkëfshatarin tonë duke shitur duhan, le ta marrin në pyetje, le t’i japin dënimin e merituar, por nuk ka nevojë të krijohet panik në familjet e fshatit Luboten”- tha Saliu.
Banoret e fshatit Luboten fajësojnë qeverinë se nuk ndërmerr masa kundër duhanblerësve, të cilët vite me radhë po anashkalojnë duhanëprodhuesit e Lubetenit dhe nuk e kontraktojnë duhanin e tyre.
Ata thonë se preteksti i duhanblerësve se gjethi i duhanit është i madh nuk do të thotë se ky duhan është me kualitet të dobët.
SANIJE KASAMI
