Botë
Serbi, protesta e bllokada në Beograd dhe qytete tjera
04.12.2021 18:11
Mijëra qytetarë protestuan dhe bllokuan rrugët në Beograd dhe disa qytete të tjera në mbarë Serbinë...

Mijëra qytetarë protestuan dhe bllokuan rrugët në Beograd dhe disa qytete të tjera në mbarë Serbinë, për të kundërshtuar ndryshimet ligjore, që sipas tyre favorizojnë kompanitë private në dëm të qytetarëve dhe mjedisit.
Protestuesit bllokuan rrugët kryesore dhe një autostradë në Beograd, ndërkaq protesta të ngjashme u organizuan edhe në Novi Sad, Zrenjanin, Shabac, Nish, Kragujevc, Suboticë, Uzhicë, Rashkë.
Gjatë këtyre protestave u raportuan incidente të vogla. Në Novi Sad u raportua për një përleshje mes protestuesve dhe një grupi të rinjsh të cilët hodhën gur në drejtim të personave që protestonin.
Policia nuk ishte prezente gjatë protestës dyorëshe. Kjo është fundjava e dytë me radhë që qytetarët protestuan kundër vendimeve të fundit të autoriteteve për të ulur pragun e referendumit dhe për të lejuar shpronësimin e shpejt të pronës private, nëse autoritetet e vlerësojnë se është në interes të publikut. Këto protesta vijnë pas dekadash të neglizhencës, pasi Serbia përballet me probleme të mëdha mjedisore siç janë ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe çështje të tjera.
