Maqedoni
Struga pret fluks të turistëve për festat e fundvitit
05.12.2021 14:55
Struga pret fluks turistësh për festat e fundvitit...

Shumica e aranzhimeve të dhëna me qira në objektet akomoduese janë me mysafirë nga vendet fqinje Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Serbia.
Ka interes për paketat e Vitit të Ri, por për shkak të pasigurisë me situatën e pandemisë, ende nuk janë të prenotuara, ndryshe nga vitet e kaluara, kur kjo periudhë ishte thuajse komplet e rezervuar, thonë nga shoqata e hoteleve.
Për festat e fundvitit pritet të vijnë një numër i madh i mërgimtarëve nga Struga.
“Ajo që marrim si informacion nga sektori i turizmit është se tashmë po bëjnë aranzhime për Vitin e Ri, interesimi më i madh është nga turistët që janë nga rajoni dhe vendet fqinje”, u shpreh përgjegjëseja e agjencionit për turizëm në Strugë, Valentina Pereska.
Struga sezonin e kaluar ka shënuar rritje të numrit të turistëve për 45%. Komuna së bashku me Agjencinë për Promovimin e Turizmit do të punojnë në krijimin e përmbajtjeve të reja turistike për të tërhequr sa më shumë turistë.
“Ka një rritje të numrit të turistëve për afërsisht 45%, që është afër përqindjes shtetërore të rritjes që është mbi 50% krahasuar me vitin e kaluar. U diskutua edhe për nevojën e komunës së Strugës në përfshirjen e aktiviteteve promovuese, digjitalizimin e sektorit të turizmit, edukimin e kuadrove në turizëm”, theksoi Pereska.
Dekorimi i qytetit mbi ura do të nisë këto ditë. Kryetari i komunës thotë se ky vit do të jetë më modest, do të vendosen pemë dhe dekorime të vitit të ri, do të ndriçohet lumi Drini i Zi, por nuk do të ketë luks, sepse do të kursehet për shkak të krizës energjetike.
ILMIJE ZHAKU
