Maqedoni

Alternativa hyn në qeveri, Zaev dhe Gashi nënshkruajnë marrëveshjen

05.12.2021 15:22

Koalicionit qeverisës LSDM, BDI dhe PDSH i bashkangjitet edhe Alternativa...

Kryeministri Zoran Zaev arriti marrëveshje me partinë e Afrim Gashit për bashkëqeverisje në tre vitet e mbetura të këtij mandati. Konsiderojnë se kështu është zgjidhur kriza politike, pasi është siguruar shumicë paralamentare stabile prej 64  deputetë dhe qeveri që do të përballet me sfidat e rradhës siç është fillimi i mundshëm i negociatave me BE-në, përballja me pasojat e pandemisë dhe kriza energjetike globale. 
 
“U bashkuam rreth përcaktimit të përbashkët se në këto momente më me rënësi është funksionimi i institucioneve me kapacitet të plotë dhe marrja e qartë e përgjegjësisë para qytetarëve. Kjo është e rëndësisë së veçantë sidomos në kohë të sfidave serioze të brendëshme por edhe në plan ndërkombëtar. Marrëveshja e arrirë është garancë se kemi shumicë e cila do të punojë në zgjidhje të sfidave serioze siç është sigurimi i vazhdimësisë dhe epilog i suksesshëm i procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, përkatësisht gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë, ballafaqimin me pandeminë Kovid19 dhe krizën energjetike globale”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.
 
Vendim i vështirë por me interes për shtetin dhe qytetarit, thotë kreu i Alternativës Afrim Gashi. Mes zgjidhjes për zgjedhje të reja dhe pasiguri kanë zgjedhur pjesëmarrjen në qeverisje dhe ballafaqimin me sfidat. Mundësia për të filluar negociatat për aderim në BE cilësohet si historike.   
  
“Alternativa ka kaluar një kohë shumë të rëndë. Ka qenë e ballafaquar para sfidave të vazhdojë aty ku ka qenë apo ta ndihmojë një process që ka dimensione historike. Sidomos, kur kemi të bëjmë me hapjen e negociatave për aderim në BE. Nuk ka qenë e lehtë për ne ta vendosim këtë punë. Për ne ka qenë primare të jemi në funksion të interesit të stabilitetit rajonal, pastaj në interes të stabilitetit shtetëror dhe në fund në interes të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve”, theksoi kryetar i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Veç përcaktimeve politike, programi qeveritar do të mbindërtohet me nëntë pika programore të Alternativës, në të cilat më me rëndësi janë: integrimi në BE, hetim ndërkombëtar për rastet e dyshuara si të montuara politikisht; zhvillimi i barabartë rajonal dhe përmirësimi i kornizës ligjore për ballafaqim me krimin dhe korrupcionin.  
 
Alternativa do të drejtojë tre ministri: Ministrinë për shëndetësi, Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administrate dhe Ministrinë pa resor të angazhuar për diasporën. Partneri i ri qeveritar do të caktojë edhe tre zëvendësministra: në arsim, kulturë dhe ndoshta në bujqësi.
 
Në nivel drejtorish, ndër më të rëndësishmet, Alternativa do të drejtojë: MEPS-on, Fondin Pensional, Hekurudhat, Qendrën Klinike në Tetovë dhe Agjencinë për Investime të Huaja.      
 
SHPËTIM NUREDINI