Kulturë
Kërçovë: Filloi festivali i teatrove “Uskana Fest”
06.12.2021 13:38
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe komunës së Kërçovës....

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe komunës së Kërçovës, mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë filloi festivali i teatrove “Uskana Fest” Në mbrëmjen e parë të festivalit të organizuar nga shoqata Artact-Us, në sallën e vogël të Pallatit të Kulturës në Kërçovë u shfaqën dy projekte dramatike të cilët u mirëpritën nga adhuruesit e artit në Kërçovë. Për interpretimet e tyre të mrekullueshme, u duartrokitën fuqishëm, aktorët e teatrit turk nga Shkupi për realizimin skenik “Rapunzel” si dhe ata të shoqatës “Ouneum” nga Tetova , të cilët u prezentuan denjësisht me projektin dramatik “Pesë djelmoshat”.
Interesimi në dy shfaqjet e para ka qenë shumë i madh, sepse ky është festivali i parë i këtij formati që organizohet në Kërçovë dhe që në pesë mbrëmjet e këtij manifestimi, do të sjellë një program të ngjeshur artistik dhe përmbajtësor për publikun e këtushëm, thotë për programin tonë kryetari i shoqatës Artack-Us, aktori Rrahim Ramadani.
Festivali “Uskana Fest” do të mbyllet me shfaqjen e teatrit shqiptar të Shkupit të titulluar “Shfaqja që shkon mbrapsht”. Në mbrëmjen e fundit juria profesionale e kryesuar nga regjisori i njohur Sokol Angjeli, do të ndajë çmimin e vetëm të festivalit “Shfaqja më e mirë”.
SHABAN DALIPI
